TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Është shuar në moshën 88-vjeçare akademiku emeritus Mark Tirta. Lajmi u bë me dije nga Akademia e Shkencave.
Tirta lindi më 21 maj 1938 në Orosh të Mirditës. Ai kreu studimet e larta në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1961. Pas studimeve punoi në arsim në rrethin e Mirditës, ndërsa në vitin 1968 nisi veprimtarinë kërkimore në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë.
Prej vitit 1979 vijoi veprimtarinë pranë Institutit të Kulturës Popullore, ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij shkencore. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Në vijim të veprimtarisë së tij të gjatë akademike e shkencore, ai mori statusin Akademik Emeritus.
Tirta ishte një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare, një personalitet i rëndësishëm i albanologjisë dhe një nga zërat më të spikatur të studimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ai mori pjesë në ekspedita të shumta në vise të ndryshme shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar dëshmi të rëndësishme mbi jetën, traditat, zakonet, besimet dhe mënyrat e organizimit të komuniteteve shqiptare. Kjo përvojë e gjerë e terrenit u bë një prej veçorive dalluese të punës së tij shkencore.
Puna e tij kërkimore ishte e shumëanshme dhe preku disa nga çështjet themelore të etnologjisë shqiptare. Ai u mor në mënyrë të veçantë me migrimet e popullsisë shqiptare dhe mitologjinë popullore, gjithashtu studimet e tij u shtrinë edhe në aspektet e familjes, veshjeve popullore, së drejtës zakonore, toponimisë e antroponimisë, artit popullor, historisë së etnologjisë shqiptare dhe personaliteteve të kësaj fushe.
Ai la pas një trashëgimi të gjerë studimore. Ka botuar mbi 300 punime shkencore e kulturore, ka marrë pjesë me mbi 100 kumtesa në sesione shkencore, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa rreth 42 punime të tij janë botuar në gjuhë të huaja.
Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Mitologjia ndër shqiptarë” 2004, “Etnologjia e shqiptarëve”2003, 2006, “Etnologjia e përgjithshme” 2001, 2008, “Migrime të shqiptarëve” 1999, “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” 2006, “Panteoni e simbolika, doke e kode...” 2007 dhe “Lëvizjet migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër” 2013.