AKTUALITET, 27 August 2026, 12:26

Maliq/ Tensione gjatë protestës për “Territorialen”, organizatori përplaset me gazetarët, ndërhyn Policia

Protesta mbi Reformën Territoriale në Maliq është zhvilluar me tensione dhe përplasje mes organizatorit Arjan Asimit, banorëve dhe gazetarëve që ndodheshin në terren për të raportuar zhvillimet. Konkretisht gjatë protestës, në momentin kur gazetarët po intervistonin disa prej protestuesve, ka pasur një përplasje mes tyre dhe organizatorit të protestës, Arjan Asimit.

Sipas gazetarëve të pranishëm, Asimi ka ndërprerë intervistat. Në pamjet e bëra publike nga protesta shihet momenti kur organizatori i protestës akuzon mediat si të shitura dhe në shërbim të pushtetit. Situata është tensionuar më tej, me përplasje fizike, ku ka ndërhyrë Policia.

Gazetarët kanë ndërprerë intervistat dhe janë larguar nga protesta, duke kundërshtuar akuzat dhe sjelljen ndaj tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Pas incidentit, gazetarët i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Maliq, ku kanë kërkuar marrjen e masave lidhur me pengimin e ushtrimit të detyrës, përplasjen fizike dhe denigrimin e figurës së tyre.

Sipas draftit të Reformës Territoriale 2.0, të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, parashikohet bashkimi i Bashkisë së Maliqit me atë të Korçës. Propozimi është kundërshtuar nga banorët e Maliqit. Protestuesit shprehen se nuk duan që Maliqi të bashkohet me Korçën, pasi, sipas tyre, Korça ka dështuar në ofrimin e shërbimeve dhe se ata nuk duan të mbulojnë problemet e saj.