AKTUALITET, 4 November 2026, 14:07

Udhërrëfyesi i KE për Shqipërinë: Në 2027 mbyllim negociatat, Këshilli të bëjë gati Traktatin e Anëtarësimit! Paketë të posaçme financiare

Udhërrëfyesi i KE për Shqipërinë: Në 2027 mbyllim

KE publikon udhërrëfyesin për Shqipërinë, rekomandim Këshillit: Përgatisni traktatin e anëtarësimit! 31 kapituj të negociatave mbeten për t'u mbyllur deri në vitin 2027

Komisioni Evropian ka publikuar udhërrëfyesin për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, ku përcaktohen prioritetet dhe afatet orientuese për mbylljen e kapitujve deri në fund të vitit 2027.

Sipas dokumentit, pas Konferencës Ndërqeveritare të 13 tetorit 2026, mbeten ende për t'u mbyllur 31 kapituj të negociatave.

Komisioni parashikon që gjatë pjesës së mbetur të vitit 2026 dhe përgjatë vitit 2027 të vijojë mbyllja graduale e kapitujve, ndërsa grupkapitulli i parë, që përfshin Themeloret, do të mbyllet i fundit.

 
Në dokument theksohet se përmbushja e standardeve përmbyllëse, zbatimi i reformave dhe progresi në fushat kyçe do të përcaktojnë ritmin e negociatave.

Gjithashtu, Komisioni rekomandon që Këshilli të nisë gjatë vitit 2027 përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit me Shqipërinë, ndërsa paralajmëron edhe një komunikim mbi paketën financiare të anëtarësimit.

BE-ja parashikon gjithashtu thellimin e integrimit gradual të Shqipërisë në politikat dhe strukturat evropiane, duke nisur dialogun për këtë proces në tremujorin e parë të vitit 2027.

Udhërrëfyes për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë:

Perspektiva për vitin 2027

I. Hyrje

Në përputhje me kuadrin negociues për negociatat e anëtarësimit, i cili parashikon që konferencat ndërqeveritare të bëjnë një vlerësim të përgjithshëm të procesit të anëtarësimit dhe të përcaktojnë një orientim për vitin përpara lidhur me kapitujt/klasterët që mund të hapen ose mbyllen, si dhe duke marrë parasysh progresin e përgjithshëm të arritur deri më tani në negociata, Komisioni paraqet më poshtë udhërrëfyesin për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë për vitin 2027.

Udhërrëfyesi ofron një renditje të mbylljes së përkohshme të kapitujve negociues dhe të grupkapitullit 1, si një tërësi. Ai ofron kështu si një rrugë orientuese, ashtu edhe një pikë referimi për negociatat e anëtarësimit, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Shtetet Anëtare.

Duke pasur parasysh natyrën e negociatave të anëtarësimit, ritmi i të cilave varet nga progresi i Shqipërisë në përmbushjen e kërkesave për anëtarësim, ky afat kohor orientues nuk paragjykon as rezultatin dhe as ritmin e negociatave. Ky udhërrëfyes është një dokument në zhvillim, të cilin Komisioni do ta përditësojë rregullisht, bazuar në progresin e bërë nga Shqipëria.

Në përputhje me kuadrin negociues, progresi në negociata vazhdon të matet veçanërisht në raport me përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, përfshirë përmbushjen e standardeve përmbyllëse të përcaktuara për kapitujt individualë dhe për grupkapitullin 1, përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe progresin e Shqipërisë në adresimin e fushave kyçe të identifikuara në raportet e Komisionit dhe në konkluzionet përkatëse të Këshillit. Progresi në grupkapitullin e parë (Themeloret) përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave. Shqipëria duhet të angazhojë përpjekje të konsiderueshme të mëtejshme për të përfunduar punën mbi standardet përmbyllëse të përcaktuara në kuadrin negociues, në mënyrë që të mundësohet mbyllja e përkohshme e kapitujve. Përparimi sipas afateve kohore të përcaktuara në këtë udhërrëfyes do të varet, për rrjedhojë, nga ritmi i reformave në Shqipëri.

II. Perspektiva për vitin në vijim

1. Kalendari i prioriteteve për mbylljen e përkohshme të kapitujve

Pas Konferencës Ndërqeveritare (IGC) të datës 13 tetor 2026, mbeten ende për t'u mbyllur 31 kapituj të negociatave të anëtarësimit. Për të arritur objektivin e autoriteteve shqiptare për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, do të ishte e nevojshme që Shqipëria të përfundonte punën e saj për standardet përmbyllëse në kohë të mjaftueshme, për të mundësuar mbylljen e kapitujve të mbetur, pas verifikimit nga BE-ja të përmbushjes së këtyre standardeve dhe arritjes së marrëveshjes mes BE-së dhe Shqipërisë për marrëveshjet kalimtare. Duke marrë parasysh kompleksitetin relativ dhe nivelin e përgatitjes në secilin kapitull, si dhe planet përkatëse të reformave të autoriteteve, mund të parashikohet kalendari fillestar i prioriteteve në vijim për pjesën e mbetur të vitit 2026 dhe vitin 2027, për mbylljen e përkohshme të kapitujve:

Kalendari i prioriteteve për pjesën e mbetur të vitit 2026: e drejta e pronësisë intelektuale; politika ekonomike dhe monetare; e drejta e shoqërive tregtare; peshkimi dhe akuakultura; rrjetet transeuropiane; politika e jashtme dhe e sigurisë.

Kalendari i prioriteteve për gjysmën e parë të vitit 2027: prokurimi publik; e drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime; lëvizja e lirë e kapitalit; transformimi digjital dhe media; Bashkimi Doganor; kontrolli financiar; politika e transportit; politika sociale dhe punësimi; shërbimet financiare; mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit.

Kalendari i prioriteteve për gjysmën e dytë të vitit 2027: lëvizja e lirë e punëtorëve; politika e konkurrencës; bujqësia dhe zhvillimi rural; tatimet; lëvizja e lirë e mallrave; siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare; statistikat; politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore; energjia; mjedisi dhe ndryshimet klimatike; gjyqësori dhe të drejtat themelore; drejtësia, liria dhe siguria; dispozitat financiare dhe buxhetore; institucionet; çështje të tjera; grupkapitulli 1 (Themeloret), i cili do të mbyllet i fundit.

Në rast se ritmi i reformave e lejon, Komisioni do të rishikojë kalendarin e prioriteteve, për të pasqyruar mundësinë e mbylljes së përkohshme më të hershme të kapitujve, në varësi të përmbushjes së kushteve përkatëse.

2. Momente të tjera të rëndësishme në negociatat e anëtarësimit

Në varësi të progresit të nevojshëm që Shqipëria do të bëjë në përgatitjet e saj, Komisioni do të paraqesë në kohën e duhur një Komunikim mbi paketën financiare për anëtarësimin e Shqipërisë.

Komisioni rekomandon më tej që Këshilli të nisë përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit me Shqipërinë gjatë vitit 2027. Ndërkohë, Shqipëria duhet të sigurojë vënien në dispozicion në kohë të përkthimit të acquis në gjuhën shqipe.

III. Integrimi gradual

Përgatitjet për anëtarësim duhet të ecin paralelisht me integrimin gradualisht më të thelluar të Shqipërisë në politikat, programet, sistemet, agjencitë dhe strukturat e punës së Bashkimit Evropian, përpara anëtarësimit. Kjo përfshin avancimin e pjesëmarrjes në sektorët strategjikë, zgjerimin e aksesit në pjesë të Tregut të Vetëm kur të përmbushen kushtet, forcimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë, transportit dhe ndërlidhjes digjitale, thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe ofrimin e përfitimeve konkrete për qytetarët dhe bizneset. Kjo do ta afrojë Shqipërinë më shumë me BE-në dhe Tregun e Vetëm që përpara anëtarësimit. Duke pasur parasysh fazën e avancuar të negociatave në të cilën ndodhet Shqipëria, që e afron më shumë me anëtarësimin, fusha të mëtejshme bashkëpunimi për integrimin gradual drejt anëtarësimit do të identifikohen përmes dialogut për integrimin gradual, i cili do të nisë në tremujorin e parë të vitit 2027. Integrimi më i thellë kërkon përafrim të qëndrueshëm me vlerat, acquis dhe interesat strategjike të Bashkimit Evropian.

Komisioni do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përgatitjet e saj për anëtarësim dhe do të vijojë ta ndihmojë atë me ekspertizë, përfshirë përdorimin e plotë të instrumenteve si TAIEX dhe binjakëzimi institucional (Tëinning), si dhe përmes asistencës financiare të orientuar, përfshirë ndihmën e disponueshme në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, bazuar në Agjendën e Reformave.

Komisioni do të monitorojë nga afër që angazhimet e ndërmarra nga Shqipëria në negociata, veçanërisht në fushën e Themeloreve, të përmbushen dhe do t'i raportojë rregullisht Këshillit mbi gjetjet e tij. Për këtë qëllim, do të përdorë tabela monitorimi, misione të rregullta të vlerësimit të ndërsjellë, përfshirë ato që lidhen me shtetin e së drejtës, si dhe të gjitha instrumentet e tjera në dispozicion.