TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Katër shtetas shqiptarë janë arrestuar në Spanjë, pasi dyshohet se janë përfshirë në kultivimin e kanabisit dhe në aktivitetin e një grupi kriminal. Operacioni u zhvillua në një zonë pyjore të Hoya de Huesca-s, ku Garda Civile zbuloi një plantacion me kanabis dhe një ambient të pajisur për tharjen e përpunimin e marijuanës.
Sipas mediave spanjolle, të arrestuarit janë katër burra të moshave 36 deri në 50 vjeç, me kombësi shqiptare dhe banues në Barcelonë.
Hetimi nisi më 17 tetor, kur një patrullë e njësisë për mbrojtjen e natyrës zbuloi shenja të aktivitetit të dyshimtë në një zonë pyjore. Dy ditë më vonë, autoritetet organizuan një operacion për kontrollin e territorit, çmontimin e plantacionit dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Gjurmët e rreth 1.000 bimëve të korrura
Gjatë kontrollit, agjentët gjetën 72 bimë kanabisi sativa me lulëzime të zhvilluara. Megjithatë, në terren u zbuluan edhe mbetje që tregonin se më parë ishin korrur rreth 1.000 bimë të tjera.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, plantacioni ishte ngritur në një zonë të pyllëzuar, larg ambienteve të banuara, ndërsa personat që dyshohet se kujdeseshin për të qëndronin në tenda kampingu pranë kultivimit.
Prania e pajisjeve të shumta për ujitje, kultivim dhe tharje tregonte se në vend ishte organizuar një aktivitet që përfshinte disa faza të prodhimit të marijuanës.
220 kilogramë marijuanë, me vlerë 413 mijë euro
Në afërsi të plantacionit, Garda Civile zbuloi një ambient të madh të përshtatur për tharjen dhe përpunimin e marijuanës. Aty u gjetën depozita ujitjeje, plehra, fertilizues të tretshëm në ujë, makineri për heqjen e kërcellit dhe degëzave, ventilatorë, një ngrohës industrial me ajër të nxehtë dhe një gjenerator për furnizimin me energji elektrike.
Gjatë operacionit u sekuestruan 220 kilogramë sytha marijuane, si dhe 72 bimët e mbetura në plantacion. Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar në tregun e paligjshëm vlerësohet në rreth 413 mijë euro.
Gjykata vendos burgosjen e katër shqiptarëve
Sipas raportimeve, katër të arrestuarit dyshohen për kultivim të lëndëve narkotike dhe përkatësi në grup kriminal.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, ata u dërguan përpara autoriteteve gjyqësore në Huesca. Gjykata vendosi ndaj të katërve masën e paraburgimit pa garanci pasurore, ndërsa hetimet për aktivitetin e dyshuar vijojnë.
Operacioni u realizua me pjesëmarrjen e disa njësive të Gardës Civile në provincën e Huesca-s, përfshirë ekipin ROCA dhe patrullën e specializuar për mbrojtjen e natyrës.