AKTUALITET, 26 October 2026, 17:09

Dita e 14-të e protestave studentore/ Kreu i Sindikatës së Universiteteve: Do të jemi çdo ditë në krah të tyre

Dita e 14-të e protestave studentore/ Kreu i Sindikatës së

Kreu i Sindikatës së Universiteteve, Aleksandër Kovaçi, ka ritheksuar mbështetjen e pedagogëve për protestat studentore, të cilat kanë hyrë në ditën e 14-të.

Nga protesta që po zhvillohet përpara Ministrisë së Arsimit, Kovaçi deklaroi se bojkoti i mësimit është vullnetar, ndërsa theksoi se studentët po hyjnë në një fazë të re organizimi përmes krijimit të forumeve që do të koordinojnë lëvizjen e tyre.

Sipas tij, pedagogët do të vijojnë të mbështesin studentët dhe do të jenë të pranishëm në protestë, me qëllim që t'i ndihmojnë në organizimin e mëtejshëm dhe në kapërcimin e situatës.

“Studentët tani janë në një fazë tjetër për t’u organizuar në forume. Ne jemi në mbështetjen e tyre për të ndihmuar se si mund të kalohet kjo situatë”, deklaroi Kovaçi.

Kreu i Sindikatës së Universiteteve konfirmoi gjithashtu se pedagogët do të vijojnë të marrin pjesë çdo ditë në protestë, duke respektuar orarin dhe thirrjet e bëra nga vetë studentët.

“Do të jemi çdo ditë këtu në orën 14:00, sipas asaj që kanë thirrur studentët. Ne jemi aty ku do të jenë studentët”, përfundoi Kovaçi.