TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, ka deklaruar se Shqipëria ka ende detyra për të përmbushur në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushat e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
I pyetur nga Deutsche Welle gjatë konferencës federale për shtyp në Gjermani lidhur me protestat kundër kryeministrit Edi Rama, Giese theksoi se shqetësimet e ngritura nga ndërkombëtarët artikulohen edhe nga qytetarët shqiptarë.
“ Kërkesa të ngjashme ngre edhe popullsia në Shqipëri. Pa dashur të hyj konkretisht në përmbajtjen e këtyre demonstratave, besoj se është e qartë që shteti i së drejtës dhe çështja e korrupsionit janë kritere të rëndësishme nëse një vend dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, u shpreh Giese.
Deklarata nga Berlini vjen në një moment të ndjeshëm për zhvillimet politike në Shqipëri, ku prej ditësh vijojnë protestat e studentëve dhe qytetarëve. Gjatë tubimeve janë shënuar incidente dhe dëmtime në institucione shtetërore, biznese private dhe infrastrukturën rrugore.
Qëndrimi i zëdhënësit gjerman rikthen në vëmendje rëndësinë që kanë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.