AKTUALITET, 16 October 2026, 17:12

Gjykata pezullon punimet për muzeun hebraik në Vlorë, pranohet kërkesa për sigurimin e padisë

Gjykata pezullon punimet për muzeun hebraik në Vlorë, pranohet

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë, duke vendosur pezullimin e punimeve për muzeun hebraik, në monumentin pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria” në Vlorë.

Lajmi është bërë i ditur nga përfaqësuesit e nismës për mbrojtjen e monumentit, të cilët, përmes një reagimi publik, bëjnë me dije se vendimi ka fuqi të menjëhershme dhe do të mbetet në fuqi deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes gjyqësore.

Sipas përfaqësuesve të nismës, kjo nuk është një betejë kundër askujt, por një përpjekje për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe për të garantuar respektimin e ligjit. Ata theksojnë se kujtesa e hebrenjve të Vlorës dhe kontributi i familjeve vlonjate që i strehuan dhe i mbrojtën gjatë Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e rëndësishme e historisë së qytetit. Megjithatë, sipas tyre, vlerësimi i kësaj historie nuk duhet të bëhet në dëm të monumenteve të tjera.

Përfaqësuesit e nismës kanë falënderuar 1.034 qytetarët që kanë firmosur peticionin, si dhe personat që iu drejtuan gjykatës për të kundërshtuar ndërhyrjet pranë monumentit.

Ata bëjnë me dije se beteja ligjore do të vijojë, me synimin për të garantuar transparencën, ligjshmërinë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit të Vlorës.