TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Protesta e zhvilluar më 24 tetor në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, mes tyre edhe të medias së njohur amerikane “Bloomberg”, e cila ka raportuar për intensifikimin e thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe Policisë.
Sipas raportimit të Bloomberg, protesta e së shtunës u shoqërua me hedhje gurësh dhe sendesh të tjera në drejtim të efektivëve, si dhe me zjarre në disa zona të kryeqytetit. Nga ana tjetër, policia përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome gjatë ndërhyrjeve për shpërndarjen e turmës.
Media amerikane thekson se protestat e udhëhequra nga studentët vijojnë prej rreth dy javësh në Tiranë dhe janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë kundër qeverisë, e cila lidhet me pakënaqësitë për arsimin, korrupsionin, mundësitë ekonomike dhe kostot e jetesës.
Lëvizja e protestave nisi disa muaj më parë, pas kundërshtive ndaj projekteve për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdet, të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Me kalimin e kohës, pakënaqësitë u zgjeruan dhe protestat morën një karakter më të gjerë politik.
Në tubimin e së shtunës, pjesëmarrja u zgjerua, pasi studentëve iu bashkuan pedagogë, mësues, përfaqësues të opozitës dhe figura të tjera publike. Përplasjet më të forta u përqendruan fillimisht në bulevardin kryesor të Tiranës, përpara se tensionet të përhapeshin edhe në zona të tjera të qytetit.
Bloomberg ndalet gjithashtu te djegia e koshave të mbeturinave dhe hedhja e sendeve drejt forcave të rendit, duke përshkruar përshkallëzimin e situatës gjatë protestës.
Reuters: Policia përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome
Edhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters raportoi për përplasjet e dhunshme në Tiranë më 24 tetor.
Sipas Reuters, policia përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë drejt efektivëve dhe i vunë zjarrin hyrjes së Ministrisë së Bujqësisë.
Agjencia raportoi se protestat, të nxitura nga pakënaqësitë për korrupsionin e perceptuar në qeveri, mungesën e vendeve të punës dhe problemet në arsim, janë përhapur në qendër të Tiranës dhe në qytete të tjera të vendit.
Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë trazirave janë dëmtuar ndërtesa qeveritare, banka dhe biznese. Reuters i cilëson zhvillimet si një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur Rama që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013.
Sipas agjencisë, protesta e së shtunës nisi rreth orës 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, përpara se ndërhyrja e policisë të shpërndante turmën në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Al Jazeera: Mbi 300 persona të lënduar, mes tyre protestues dhe policë
Edhe televizioni ndërkombëtar Al Jazeera i kushtoi vëmendje protestës së së shtunës në Tiranë, duke e përshkruar atë si një nga përplasjet më të ashpra të ditëve të fundit.
Sipas raportimit të Al Jazeera-s, më shumë se 300 protestues dhe efektivë policie ishin lënduar, ndërsa autoritetet raportuan edhe arrestime pas incidenteve të regjistruara në kryeqytet.
Media raportoi se mijëra persona iu përgjigjën thirrjeve të organizatorëve për t'iu bashkuar protestës, ku krahas studentëve morën pjesë edhe pedagogë universitetesh, artistë dhe përfaqësues të partive opozitare.
Ministria e Arsimit është kthyer në një nga pikat kryesore të tubimeve, ndërsa gjatë protestës së 24 tetorit disa persona hodhën gurë dhe shtynë kosha të përfshirë nga flakët drejt ndërtesës.
Al Jazeera thekson se protestat kundër qeverisë kanë vijuar që prej mesit të tetorit, të nxitura nga pakënaqësitë për kushtet në shkolla, kostot e jetesës dhe kërkesat për largimin e kryeministrit.
Euronews: Rama paralajmëron reagim ndaj dhunës
Edhe Euronews raportoi për tensionet në kryeqytetin shqiptar, duke u ndalur te protestat e organizuara nga mbështetës të opozitës dhe studentët.
Sipas medias, përpara marshimit drejt Ministrisë së Arsimit, mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën përpara Kryeministrisë dhe dogjën jastëkë që kryeministri Edi Rama kishte vendosur aty si simbol të ftesës së tij për dialog me studentët.
Më pas, protestuesit u drejtuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku po zhvillohej edhe tubimi i studentëve. Pranë institucionit u dislokuan mjete për ndërhyrje dhe forca të policisë, mes shqetësimeve për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Në deklaratat e tij, Rama pranoi se një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë po shprehte pakënaqësi dhe tha se qeveria po përgatiste një përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve.
Megjithatë, kryeministri paralajmëroi edhe një reagim të vazhdueshëm të shtetit ndaj personave që nxisin ose kryejnë akte dhune.
Rama përgatit masa për shqetësimet ekonomike dhe sociale
Në artikullin e Bloomberg përmenden edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili, përpara protestës, tha se qeveria po përgatiste masa për t'iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve lidhur me koston e jetesës, strehimin dhe mundësitë ekonomike.
Sipas medias amerikane, këto shqetësime kanë ngjashmëri me ato që kanë nxitur lëvizje protestuese edhe në vende të tjera evropiane, përfshirë Francën, ku qytetarët kanë dalë në rrugë për çështje ekonomike dhe sociale.
Zhvillimet e 24 tetorit tregojnë se protesta në Tiranë nuk është kufizuar vetëm te kërkesat për përmirësimin e sistemit arsimor. Ajo është shndërruar në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie, ku kërkesat për arsim më të mirë ndërthuren me kundërshtimin ndaj qeverisë dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.