AKTUALITET, 24 October 2026, 17:58

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë në bulevard, turistët e huaj ndjekin protestën duke ngrënë akullore

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë në bulevard,

Forca të shumta policie vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku situata mund të përshkallëzohet në çdo moment.

Pak minuta më parë, pranë selisë së Partisë Demokratike, u shënua një moment tensioni mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit hodhën molotovë, gurë dhe kapsolla në drejtim të efektivëve, ndërsa policia iu përgjigj me sasi të konsiderueshme gazi lotsjellës.

Përplasjet vijuan edhe në bulevard, ku u hodhën molotovë në rrugën e madhe pranë ish-hotel “Dajtit”. Policia reagoi me plumba gome dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.

Ndërkohë, mes tensionit dhe përplasjeve, në zonë ndodhen edhe turistë të huaj, të cilët po ndjekin nga afër zhvillimet.

Një grup turistësh nga Gjermania, të cilët ndodhen për herë të parë në Shqipëri, u shfaqën të qetë teksa hanin akullore dhe ndiqnin protestën. Të pyetur nëse kishin frikë nga situata, ata u përgjigjën “Jo,jo”.