AKTUALITET, 24 October 2026, 21:11

Pamje të rënda/ Efektivi i “Shqiponjave” godet me shkelma dhe shkop gome qytetarin e shtrirë në tokë

Pamje të rënda/ Efektivi i “Shqiponjave” godet me shkelma

Janë publikuar pamje të reja të dhunës së ushtruar nga një efektiv i forcave “Shqiponja” ndaj një qytetari, gjatë protestës së kësaj të shtune në kryeqytet.

Në pamjet e filmuara nga lart, efektivi shihet duke goditur qytetarin, i cili ndodhet i shtrirë në tokë. Në vendngjarje janë të pranishëm edhe efektivë të tjerë të policisë.

Sipas pamjeve, qytetari nuk duket se po bën rezistencë, ndërsa efektivi e godet disa herë me shkelma në kokë dhe në fytyrë, si dhe me shkop gome.

E gjithë skena është zhvilluar edhe në praninë e kamerave të News24, të cilat po transmetonin drejtpërdrejt situatën.

Pasi qëndroi për disa minuta i shtrirë në tokë, qytetari u mor me ambulancë dhe u transportua drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarja, e cila ngre shqetësime serioze për mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit, u regjistrua në zonën pas stadiumit “Dinamo”, në momentin kur policia po shoqëronte të rinjtë protestues.