AKTUALITET, 24 October 2026, 20:20

Policia reagon për protestën e dhunshme: Sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve do të ndëshkohen sipas ligjit

Policia reagon për protestën e dhunshme: Sulmet ndaj efektivëve

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me protestën e sotme, duke dënuar aktet e dhunës të ushtruara ndaj efektivëve të policisë dhe institucioneve.

Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe ata që përfshihen në akte dhune.

Gjithashtu, policia ka paralajmëruar se çdo veprim që rrezikon jetën e punonjësve të policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin.

Reagimi i plotë:

Gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private.

U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj.

Dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj.

Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin.

Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.