TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sot përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën në Tiranë, duke publikuar pamje ku protestuesit hedhin mjete piroteknike dhe bomba Molotov në drejtim të efektivëve të Policisë dhe institucioneve.
Në reagimin e saj, Koçiu akuzon Partinë Demokratike se është kthyer në një forcë dhune, duke e lidhur atë me incidentet e regjistruara gjatë protestës.
“Koha kur hidhnin gurin dhe fshihnin dorën ka mbaruar. Sot, urdhëruesi i dhunës ka dalë hapur, ka marrë përsipër autorësinë e plotë të shkatërrimit dhe e ka grisur vetë alibinë e ‘turmës së zemëruar’”, thekson Koçiu.
Sipas saj, “Partia Demokratike prej kohësh është kthyer në një forcë të mirëfilltë dhune, në shesh, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në çdo kanal komunikimi, media apo online”.
“E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet kurrë nga ata që nuk kanë punuar asnjë ditë të vetme në interes të saj. Nuk e bënë kur qeverisnin në emër të Shqipërisë dhe nuk e bëjnë as sot, kur angazhohen hapur dhe me paramendim për të destabilizuar vendin, thjesht për llogari të dëshpërimit të tyre politik”, shton Koçiu.
“Por edhe kjo llogari e mbrapshtë, si çdo llogari tjetër e tyre, e vjetër apo e re, do t’u dalë përsëri gabim. Shqiptarët nuk e duan dhunën, shqiptarët duan Europën. Ndaloni sulmin ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit!”, shkruan Koçiu.
Gjatë protestës së sotme janë regjistruar përplasje, teksa protestuesit kanë hedhur gurë, bomba Molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të Policisë. Gjithashtu, janë raportuar edhe zjarre në godina institucionesh.