TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gazment Bardhi ka kërkuar identifikimin e menjëhershëm të personit që lëndoi Erjon Vishkullin me një mjet të dyshuar si fishek gome gjatë protestës.
Sipas kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Vishkulli i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në syrin e majtë, me qëllim shpëtimin e shikimit.
Bardhi bëri të ditur gjithashtu se Erjon Vishkulli është tifoz ultras i Kombëtares shqiptare dhe i ekipit të Elbasanit.
Reagimi i plotë:
Prokuroria e Tiranës duhet të veprojë menjëherë, pa asnjë vonesë, për të identifikuar urdhëruesin dhe autorin e këtij akti makabër, të qëllimit me plumb në sy ndaj një të riu, i cili në këto momente po lufton në sallën e operacionit për të shpëtuar shikimin në syrin e majtë.
Sot, jo nesër!
Kushdo që ka urdhëruar dhe kushdo që ka kryer këtë akt të rëndë duhet të identifikohet, të vihet përpara drejtësisë dhe të arrestohet pa asnjë vonesë, në përputhje me ligjin. Nesër mund të jetë tepër vonë. Prokuroria dhe organet ligjzbatuese duhet të dëshmojnë me veprime konkrete se jeta dhe shëndeti i çdo qytetari janë të shenjta dhe se askush nuk është mbi ligjin kur cenon të drejtat dhe integritetin fizik të një të riu!
Erion Vishkuli është një i ri patriot, tifoz ultras i Kombëtares dhe i Elbasanit, i cili protestonte për një Shqipëri më të mirë. Ai nuk ka kryer asnjë krim dhe nuk ka bërë asnjë faj që të justifikojë një dhunë të tillë. Asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë një akt të tillë makabër.
Në këto momente të rënda, lutemi të gjithë për shëndetin e Erionit dhe për rikuperimin e tij të plotë. Jemi pranë tij dhe familjes së tij, me solidaritet dhe mbështetje të pakushtëzuar.
Drejtësi për Erionin! Asnjë vonesë, asnjë tolerim, askush mbi ligjin!