Në këto ditë të tmerrshme, kur koronavirusi është tërbuar dhe e ka vënë të gjithë botën nën këmbë, Kryetari i Akademisë së Shkencave "Rrënjët tona", profesor Sazan Guri, njoftoi mbarë shqiptarët, se në datën 21 nëntor 2020, pra sot dhe në 22 nëntor 2020, pra nesër, në Tiranë, u zhvillua dhe do të vijojë zhvillimin, kuvendi me titull "Gjuha Shqipe - gjuha e natyrës, kërkesa për zgjidhje - rezoluta".
Ky kuvend madhështor, në formë mini-kuvendi, vjen fill pasi profesori kishte shpalosur një ditë më parë, tek një nga Rudinat shqiptare, që bëjnë emisione, konkretisht tek Magjistari, faqet e një pune 40 vjeçare për gjuhën, etnokulturën dhe historinë shqiptare, në formën e një libri të quajtur "Album Albanologjik".
- Ai popull që nuk e njeh të shkuarën e tij, ngelet fëmijë nga mendtë, - deklaroi solemnisht Sazan Guri tek Rudina Magjistari, duke shfletuar albumin e krijuar po prej tij.
Siç e theksuam më lart, pas emisionit të albumit tek Rudina, erdhi menjëherë kongresi, i cili kishte në preambul të vet, plot 21+7 kërkesa për zgjidhje, drejtuar sigurisht Edi Ramës, si i plotfuqishmi i këtij vendi, që ka në dorë gjithçka, përfshirë edhe oratorinë e Faik Bej Konicës dhe Fan Nolit bashkë.
Ndër kërkesat më të rëndësishme që profesori deklaron, janë ato në fushën metodike të gjuhësisë:
- Të përpiqemi të njihemi zyrtarisht me ekzistencën parailire-pellazge, si origjina më e hershme e kombit, duke punuar me programe të caktuara për tu njohur zyrtarisht dhe shkencërisht lashtësinë parailire-pellazge në të gjitha hapësirat e banimit të kombit shqiptar. (Të futet si lëndë mësimimore me proivim në universitete), - thotë profesori, duke bërë ndoshta qëllimisht disa gabime ortografike, që ne njerëzit e zakonshëm të vëmë pak mendjen në punë.
Po kështu, një vend të rëndësishëm në këto kërkesa, zinte ajo në formë urdhëri, për futjen e menjëhershme të gjuhës shqipe, si lëndë mësimore në të gjithë shkollat e mesme dhe të larta, sipas përvojës botnore dhe jo botnore.
Por momenti më i rëndësishëm i këtyre kërkesave për zgjidhje, që lë me gojë hapur çdo njeri që e lexon, është pika shtatë, ku profesor Sazan Guri kërkon:
7. Të ngrihen obeliske shkëmbore, ku të gdhenden vargjet hyjnore për gjuhën shqipe të krijuara nga Ndre Mjeda e të vendoset në Sarandë ose Xarë, po ashtu e At Gjergj Fishtës e të vendoset në Berat ose Elbasan, si dhe të Naim Frashërit e të vendoset në Shkodër ose Thell apo Valbonë.
Sapo e hodhi këtë material, me kërkesat përkatëse në rrjetet sociale, një pjesë e popullit i shkruajti profesor Sazanit, duke i kërkuar, që plotësimi i tyre, të quhej domosdoshmëri historike dhe njëkohësisht u kërkua, që të shtohej një pikë e parë themelore, ku profesori të urdhëronte rikthimin e gegnishtes, në vendin e saj të merituem.
PS. Për të mos krijuar ndonjë ngatërresë, tek 21+7 kërkesat e qarta dhe të kthjellëta të profesorit të nderuar, zotni akademik, Sazan Gurit, ju lutemi lexojini siç i ka shkruajtur dhe paraqitur ai vetë, në kuvendin në formë mini-kuvendi!
/TPZ.al/ Tej e Këtej/
Edhe ne kushte jo te zakonshme, ate qe thame e beme - Kuvendin mbi gjuhen shqipe e mbajtem, sigurisht ne forme minikuvendi, ku dhane shkurt prezantimet e tyre mbi 15 autore, duke kujtuar edhe dy ngjarjet e medha te ABC shqiptare si ate edhe Kongresit te Korilianos Kalabri 1895 dhe te Manastirit 1908.
KARTA E BARDHË E KUVENDIT -GJUHA GJUHA SHQIPE – GJUHË E NATYRËS, KËRKESA PËR ZGJIDHJE - REZOLUTA
Preambula
Kuvendi i tretë i mbajtur më datat 21 Nëntor 2020, në Tiranë dhe më 22 Nëntor 2020 në Manastir, me rastin e 125 vjetorit të Kongresit të Korilianos, Kalabri dhe 112 vjetorit të Kongresit të Manastirit, me temë “GJUHA SHQIPE – GJUHË E NATYRËS” dhe me objekt “VAZHDIMËSINË E SË FOLMES DHE SHKRUAJTJES TË SHQIPTARËVE PËRMES MIJËVJEÇARËVE”, me qëllim rritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e njohjes së lidhjeve të gjuhës së tyre me kulturat e antikitetit, shpalosi, jo pak, por 40 referate e kumtesa të mbajtura nga shkencëtarë, profesorë dhe ekspert të gjuhësisë nga çdo trevë e Kombit shqipëtar. Nga këto referate, kumtesa e paraqitje të shoqëruara me postera, me pavione apo me ekspozitat përkatëse, kuptojmë që Shqipëria, për aq kohë sa zotëron institucione me burime të afta njerëzore si dhe për aq kohë sa ushtrojnë aktivitet një numër, jo i vogël, me shkencëtarë, profesorë dhe ekspert, i ka të gjitha mundësitë për të krijuar një version të saktë e të vërtetuar historik, të aftë për tu përballur me çdo hije dyshimi të hedhur mbi gjuhën dhe gjuhësinë e vet. Kësisoj, ne, pjesa e ekspertizës shkencore gjuhësore, i kërkojmë dhe i ofrojmë aktorëve politikbërës dhe faktorëve vendimmarrës, qendror e lokal, kërkesat tona për ruajtjen e simbolit më të rëndësishëm të kombit shqiptar, siç është gjuha shqipe, duke iu dhënë mekanizmat e mënyrat përkatës si:
Në fushën metodike të gjuhësisë:
- Të përpiqemi të njihemi zyrtarisht me ekzistencën parailire-pellazge, si origjina më e hershme e kombit, duke punuar me programe të caktuara për tu njohur zyrtarisht dhe shkencërisht lashtësinë parailire-pellazge në të gjitha hapësirat e banimit të kombit shqiptar. (Të futet si lëndë mësimimore me proivim në universitete).
- Të rivlerësohet i gjithë thesari gjuhësor që gjendet në veprat e autorëve të vjetër shqipëtarë, si dhe të arrijmë të rivlerësohet krijimi i vlerave të vjetra folklorike, gjetja në të folurat vendore dhe krijimi i fjalëve të reja a neologjizmave. Këtu mund të përfshihet edhe shkrimi i Xhuvanit për të ashtuquajturat “neologjizma kuptimore”, përdorimi i disa fjalëve të gjuhës popullore, duke iu dhënë kuptime të reja.
- Të gjehen e futen në përdorim fjalët që gjenden në të folurat për fjalët që mungojnë në gjuhën zyrtare. Qeveria të detyrojë shtypin, TV, etj., që të ruajnë lakimin e emrave.
- Të tejkalohet gjendja (si rast i vetëm në Europë), ku bashkë me ciklin nëntëvjeçar të shkollës mbyllet çdo vëmendje për gjuhën amëtare (në perëndim përfshi edhe SHBA, dy provime vlerësohen më fort: gjuha amëtare dhe matematika).
- Të studiohen lidhjet shumëplanëshe të gjuhës shqipe me atë protoshqipe të lashtësisë e para lashtësisë, si dhe me kombet sumere egjyptian, indian, turko-arab, baskët, baltët, anglezët si dhe me kulturën greko-romake në të gjitha fushat.
- Të fillojë përgatitja e kuadrit studiues në Universitetin e Shqipërisë për gjithë korpusin e kulturës pellazge, ku studentët të marrin njohuri dhe të përgatiten brezat e ardhshëm të mësuesve të gjuhës shqipe për gjuhën pellazge.
- Të detyrojmë paqësisht presidencat, qeveritë, ministritë e arsimit dhe akademitë për njohjet dhe studimin e elementëve pellazg dhe të hapet një sektor i veçantë në akademitë e trojeve shqiptare për studimin e lashtësisë pellazgo-ilire.
- Të fillojë të gjendet e të çfletohet bibliografia e studimeve të kulturës dhe gjuhës pellazgo-ilire për lashtësinë, ku të emërohet një sekretar, dhe të caktohet një mjedis në çdo akademi për administrimin dhe organizimin e veprimtarive për lashtësinë e thellë.
- Të punohet që të hidhen bazat e një biblioteke që nga autorët greko-romakë deri në botimet e sotme dhe të përgatitet dhe të ndihmohet një bërthamë studiuesish për kreun e lashtësisë parailire.
- Të bëhen të ditura në shqip dhe në anglisht punimet dhe studimet e këtij kuvendi dhe të futet program dhe libra shkollor me elemente të kulturës parailire.
- Të planifikohet si zë i veçant nga ministritë dhe akademitë e tre shteteve financimi i sekretarëve dhe i veprimtarive dhe të kërkohet mbështetje financiare nga diaspora.
- Organet drejtuese të jenë kombinim i moshës së thyer me te rinjtë përparësi.
- Të hartohet një përmbledhje e thënie të të huajve për lashtësinë e thellë në këtë fushë.
- Të mundësojmë botimin e një libri përmbledhës me artikuj të 20 vitetve të fundit dhe shpërndarjen e tij nëpër universitetet shqiptare.
- Të arrijmë përpjekjet për tu botuar vepra e Çlirim Xhungës në fushën e gjuhësisë dhe të gatitet fotoekspozitë me hartat që zotëron z.Çlirim Hoxha.
- Të kërkojmë që masmedia shqiptare të bëj njohjen dhe propogandimin e aktiviteteve shqiptare.
- Të themelojmë një FOND shtetëror për rinovimin e objekteve arkeologjike, sidomos për KISHA-t, për nevojat tona dhe turizëm dhe mos t'i lejojmë të merren prej atyre që nuk përkasin, si rasti i Kishës Arbërore Katolike në Shas të Ulqinit dhe tani në Martinaj, Guci.
- Të thellohen më tej studimet e shkencave të antropologjisë fizike dhe asaj mjeko-ligjore (forensic anthropology) mbi popullin tonë dhe gjenezën e Shqiptarëve.
- Të kryhet një projekt për botimin e një vepre të traditës ILIRO–SHQIPTARE, me objekt figura e Shën Jeronimit, përkthyesit te parë te biblës latinisht (La Vulgata); figura e SHËN NIKETES, krijuesi i kryehimnores së krishtërimit “TE DEUM LAUDAMUS, dorëshkrimi i letersisë biblike, ”CODEX PURPUREUS BERATINUS”, etj.
- Duhet të propozojmë ngritjen e një AKADEMIE TË SHKENCAVE ME STUDIUES NGA E GJITHË BOTA, e cila financohet nga shteti dhe vetëorganizohet e vetëqeveriset...!
- Të bëhet i njojtur në librat shkollorë Kongresi i parë i alfabetit shqip që është mbajt në Corigliano në Kalabrisë në v.1895 para Kongresit të Manastirit.
Disa masa të ngutshme që mund të jetësohen - ndër to:
- Futja e menjëhershme e gjuhës shqipe si lëndë mësimore në të gjitha shkollat e mesme e të larta, sipas përvojës më të mirë botërore dhe trajtimi i saj si lëndë bazë;
- Urdhërimi i shtypit dhe botuesve që të shkruajnë Shqip dhe jo Albanisht. Zhvillimi i seminareve për mbrojtjen dhe pasurimin e gjuhës me gazetarë, redaktorë, mësues dhe institucionalizimi i këtyre veprimtarive;
- Hapja e kohëtoreve (rubrikave) të përhershme në gazeta e në stacionet radiotelevizive, si tribuna të specialistëve të gjuhës shqipe dhe në to të bëhen edhe oponenca gjuhësore për botimet, dokumentat zyrtare, kumptimet e fjalimet e politikanëve;
- Botimi në të përditshme, në trajtë fjalorthësh, i fjalëve shqipe e caqeve që mund e duhet të përdoren në vend të fjalëve të huaja.
- Ndalimi i botimit të dokumenteve zyrtare pa korrektim cilësor gjuhësor, si dhe detyrimi me mbajtë redaktorë letrarë pranë çdo institucioni botues;
- Të jepet mundësia e botimeve të fjalorëve të rëndësishëm dhe veprave më të vlerësuara të gjuhëtarëve shqipëtarë e të huaj për gjuhën shqipe të financuar prej shtetit, po ashtu edhe për kulturën e etnografinë dhe tirazhi të jetë i mjaftueshëm e çmimet të arsyeshme, që të mund t’ië blejë edhe mësuesi me pagën e vajtueshme.
- Të ngrihen obeliske shkëmbore, ku të gdhenden vargjet hyjnore për gjuhën shqipe të krijuara nga Ndre Mjeda e të vendoset në Sarandë ose Xarë, po ashtu e At Gjergj Fishtës e të vendoset në Berat ose Elbasan, si dhe të Naim Frashërit e të vendoset në Shkodër ose Thell apo Valbonë.