AKTUALITET, 4 Dhjetor 2018, 17:22

Prishja e banesave, banorët e Shkozës: S'kanë pyetur as për fëmijën tre vjeç

Prishja e banesave, banorët e Shkozës: S'kanë pyetur as
Banorët e Shkozës kanë dalë sërish sot pasdite në protestë, për të mos lejuar prishjen e banesave të tyre nga IMT, pasi sipas tyre duhet të dëmshpërblehen.

Ata kanë bllokuar rrugën dhe kanë vendosur flakën disa prej kazanëve të mbetjeve. Në mbështetje të tyre kanë qenë dhe deputetët e PD.

Një prej banoreve duke folur për mediat, tha se fëmijët janë tmerruar kur kanë marrë vesh që do u prishej banesa. Po ashtu banorja u shpreh se nuk janë kundër projekti dhe ndërtimit të rrugës, por nuk mund t’i nxjerrin në rrugë.

“Më ka ardhur fëmija 3 vjeç në shtëpi obobo ma do na prishin shtëpitë. Të kishit qenë sot në orën 5 të mëngjesit ta kishit parë si e kanë prishur shtëpinë e komshiut. Terror! I kam parë vetë si e kanë ngritur, me copa hekurash. Me gjak, unë qaj për ata fëmijë se i kam parë vetë. I kanë fëmijët moshatarë me të mitë. Kjo nuk është e drejtë”, tha banorja e Shkozës.