AKTUALITET, 31 July 2026, 22:49

Policia nis kontrollet për zhurmat në sezonin turistik/ Lamallari: Muzika mbi normat e lejuara do të ndëshkohet

Policia e Shtetit ka intensifikuar monitorimet në të gjithë vendin për respektimin e niveleve të lejuara të zhurmave, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se ndotja akustike nuk do të tolerohet dhe se qetësia e qytetarëve, familjeve dhe turistëve duhet të garantohet në çdo zonë turistike.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se kontrollet po kryhen në zbatim të udhëzimit të rishikuar për nivelin e lejuar të zhurmave, ndërsa paralajmëroi masa ndaj subjekteve që tejkalojnë normat e përcaktuara.

“Policia e Shtetit po kryen monitorime në të gjithë vendin për të garantuar një sezon turistik të qetë dhe të sigurt për çdo pushues, familje e vizitorë. Kush lëshon muzikën mbi normat e reja të lejuara, do të përballet me pasojat”, u shpreh Lamallari.

Sipas udhëzimit, në intervalin kohor 20:00-24:00, niveli i lejuar i zhurmës i matur në mjediset publike është deri në 45 decibel (dB).

Ministri Lamallari nënvizoi se respektimi i këtyre kufijve synon të ruajë qetësinë publike dhe të krijojë një mjedis sa më të përshtatshëm për qytetarët dhe turistët gjatë sezonit veror.