TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka deklaruar se turizmi në Shqipëri vijon të shënojë rritje, ndërsa ka folur edhe për situatën në Ksamil, menaxhimin e plazheve dhe çmimet gjatë sezonit turistik.
Gjatë fjalës së tij, Gonxhja tha se Ksamili këtë vit paraqitet më i organizuar dhe më i menaxhuar krahasuar me vitet e mëparshme.
Duke komentuar diskutimet për një rënie të numrit të turistëve dhe pretendimet se “Ksamili është bosh”, ministri u shpreh se nuk e percepton situatën në këtë mënyrë.
“Termat ‘Ksamili bosh’, nuk e perceptoj dot kështu. Ksamili është më i normalizuar në gjithë shtrirjen e vet. Ka një përmirësim dhe duhet t’i themi edhe gjërat që janë për mirë. Këtu nuk ka punë vetëm të qeverisë, është edhe një kontribut i subjekteve”, tha Gonxhja.
Sipas tij, një rol të rëndësishëm ka pasur edhe bashkëpunimi me operatorët privatë, të cilët kanë mirëkuptuar skemën e re të menaxhimit të stacioneve të plazhit.
Sa i përket çmimeve, ministri vlerësoi vendimin e Bashkisë Sarandë për vendosjen e çmimeve referencë tavan për kategori të ndryshme plazhesh, me qëllim shmangien e abuzimeve dhe garantimin e një oferte më të përballueshme për pushuesit.
“Kishte një normalizim të çmimeve në Ksamil. Për këtë arsye Bashkia e Sarandës duhet vlerësuar. Bëri një vendim jo të lehtë që vendosi çmim reference tavan për kategori të ndryshme plazhesh. Kuptohet, nuk mund të jetë kudo njësoj dhe brenda një plazhi ka diferenca, më pranë detit apo më larg detit”, u shpreh ai.
Gonxhja tha se çmimet po monitorohen dhe se, sipas tij, në një nivel të kënaqshëm po respektohen edhe nga subjektet private.
Ai përmendi gjithashtu vendosjen në dispozicion të zonave publike ku bashkia ofron çadra dhe ulëse falas për qytetarët, përmirësimin e sinjalistikës dhe menaxhimin më të mirë të pastrimit të mbetjeve.
Ministri foli edhe për sigurinë në det, duke theksuar se ndryshe nga vitet e mëparshme, kur mjetet lundruese krijonin rrezik për pushuesit pranë bregut, tashmë janë organizuar molet, pikat e ankorimit dhe janë vendosur bova sigurie për të shmangur incidentet.
“Jemi në monitorim dhe ka një zbatim që mund të themi se është në një nivel të kënaqshëm. Nuk është një gjë e lehtë, është një proces shumë i vështirë, por është e rëndësishme që po menaxhohet më mirë”, përfundoi Gonxhja.