AKTUALITET, 31 July 2026, 18:24

Zbulimi i varrit masiv në Zubin Potok, Shqipëria solidarizohet me Kosovën: Plagët e luftës ende të hapura

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas zbulimit të një varri masiv në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se janë gjetur mbetjet mortore të 23 intelektualëve nga Mitrovica, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, MPJ ka theksuar se zbulime të tilla janë një dëshmi e dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë vijojnë të mbeten të hapura. “Eshtrat e zbuluara janë një kujtesë e fortë e krimeve të kryera dhe e nevojës që e vërteta dhe përgjegjësia të pranohen e drejtësia të vihet në vend”, vijon reagimi.

Ministria ka shprehur solidaritet me familjet që prej më shumë se dy dekadash presin informacion për fatin e të afërmve të tyre, duke nënvizuar se Shqipëria qëndron përkrah Kosovës. “Shqipëria qëndron përkrah Kosovës në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, për vendosjen e drejtësisë dhe për ruajtjen e së vërtetës historike. Pa të vërtetën nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm”, përfundon reagimi.

Postimi i plote:

Zbulimi i një tjetër varri masiv në Kalludër të Kosovës është një kujtesë e dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura. Çdo gjetje e tillë nuk është vetëm një hap drejt identifikimit të viktimave, por edhe një dëshmi që flet vetë. Eshtrat e zbuluara janë një kujtesë e fortë e krimeve të kryera dhe e nevojës që e vërteta dhe përgjegjësia të pranohen e drejtësia të vihet në vend.

Për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e të dashurve të tyre, çdo identifikim është një hap drejt dinjitetit, së vërtetës dhe drejtësisë.

Shqipëria qëndron përkrah Kosovës në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, për vendosjen e drejtësisë dhe për ruajtjen e së vërtetës historike. Pa të vërtetën nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm.