AKTUALITET, 30 July 2026, 18:15

Pas ikjes nga PD ish-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysaj merr post drejtues në...

Jola Hysaj, ish-sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, është emëruar në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Hysaj u largua nga Partia Demokratike në muajin mars të këtij viti, pas një periudhe angazhimi në strukturat drejtuese të selisë blu, ku mbante detyrën e sekretares për Marrëdhëniet me Publikun.

Ajo njoftoi dorëheqjen nga posti i saj dhe largimin nga partia pas një serie zhvillimesh dhe vendimmarrjesh brenda partisë, të cilat sipas saj nuk respektojnë parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një forcë politike demokratike.

Në një postim të gjatë në Facebook, Hysaj asokohe shprehu shqetësimin për mënyrën se si ishte trajtuar funksioni i saj si sekretare për Marrëdhëniet me Publikun, duke theksuar se kompetencat reale të këtij roli janë kufizuar ndjeshëm, ndonëse përgjegjësia dhe imazhi publik i funksionit kanë vijuar të përdoren.

Ajo kritikoi gjithashtu përjashtimin sistematik nga përfaqësimi në këshillat bashkiakë të individëve me kompetencë dhe integritet, si dhe mënyrën e hartimit të listave të mbyllura për Qarkun e Durrësit.

Po ashtu, ajo theksoi se mungesa e hapjes reale brenda Partisë Demokratike mbetet problemi kryesor, duke u shprehur se vendimet e rëndësishme shpesh mësohen nga mediat dhe jo nga strukturat e partisë.