AKTUALITET, 30 July 2026, 13:41

Marrëveshja me SHBA-në, Bardhi-Nufit: E papranueshme është mënyra si u miratua, Kushtetuta nuk mund të anashkalohet!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, iu përgjigj sot ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, pasi ky i fundit, e cilësoi të papranueshëm vendimin e opozitës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej rreth 302 milionë dollarësh për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane.

Bardhi renditi disa arsye pse opozita e çoi ligjin në Kushtetuese, shkelje që sipas tij janë të papranueshme në një vend demokratik dhe akuzoi qeverinë se ka shpërfillur Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në reagimin e tij, Bardhi pretendon se deputetët votuan pa u njohur me tekstin e marrëveshjes dhe  se Këshilli i Ministrave ka pasur një muaj kohë për shqyrtimin e saj ndërsa Kuvendi vetëm 4 orë për miratim. Ai gjithashtu kritikon faktin që Presidentit Bajram Begaj iu dhanë vetëm 30 minuta për të dhënë pëlqëimin për hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

Bardhi e cilëson të papranueshme faktin që marrëveshja strategjike me SHBA-të të trajtohet "si një urdhër i brendshëm i Ministrit të Mbrojtjes", si dhe akuzon qeverinë se i trajton institucionet, përfshirë Kuvendin, "si anekse të Qeverisë".

Më herët, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se kundërshtimi i PD ndaj marrëveshjes është i papranueshëm, duke theksuar se siguria kombëtare nuk duhet të jetë objekt debati politik. Ai u shpreh se marrëveshja nuk bie ndesh me Kushtetutën, se deputetët kanë pasur kohën e nevojshme për ta shqyrtuar dhe se financimi monitorohet rreptësisht nga Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe SHBA për financimin me rreth 302 milionë dollarë për blerjen e pajisjeve dhe sistemeve ushtarake amerikane u miratua me procedurë të përshpejtuar të hënën në Kuvend, me 74 votat e mazhorancës.

Deklarata e plotë e Bardhit 

"Ministri i Mbrojtjes paska konsideruar të papranueshëm dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh.

Dikush duhet t’i shpjegojë se:

E papranueshme është të shpërfillësh hapur Kushtetutën e vendit tënd dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

E papranueshme është që deputetët të votojnë pa u njohur me tekstin e marrëveshjes, me të cilën Shqipëria merr një hua prej 302 milionë dollarësh.

E papranueshme është që Këshilli i Ministrave të marrë një muaj kohë për shqyrtim, ndërsa Kuvendit të Shqipërisë t’i jepen vetëm katër orë për miratim.

E papranueshme është të çosh miliona euro të shqiptarëve për tre inceneratorë që nuk ekzistojnë, ndërsa për të garantuar sigurinë kombëtare të marrësh borxh, sepse nuk arrin ta financosh atë me fondet e Buxhetit të Shtetit.

E papranueshme është ta trajtosh një marrëveshje strategjike me aleatin tonë strategjik sikur të ishte një urdhër i brendshëm i Ministrit të Mbrojtjes.

E papranueshme është që Presidentit të Republikës t’i jepen vetëm 30 minuta për të vlerësuar dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje huaje dhe që ai, brenda po këtyre 30 minutave, të japë pëlqimin pa e lexuar, pa e analizuar dhe pa përmbushur rolin e tij kushtetues të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve.

E papranueshme është t’i trajtosh të gjitha institucionet, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, si anekse të Qeverisë.

Mbi të gjitha, nuk ka gjë më të pranueshme në një vend demokratik sesa mbrojtja e Kushtetutës"