TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama tha sot nga takimi me grupin politik dhe krerët e Komisioneve Parlamentare në selinë e partisë, se partia në pushtet njeh vetëm rotacionin me votën e popullit, duke iu përgjigjur kështu me refuzim të prerë kërkesës së protestës masive popullore që reziston para Kryeministrisë prej më shumë se dy muajsh.
Ai deklaroi se ai ka aleancë me qytetarët dhe do i bindet vetëm votës së tyre, teksa prezantoi edhe dokumentin “besa” për besnikëri ndaj popullit. Rama tha se pushteti nuk i duhet PS për veten, por për ta dërguar Shqipërinë në tryezën e BE-së brenda vitit 2030. Ai pranoi edhe gabimet dhe të metat gjatë qeverisjes, duke tërhequr vëmendjen ndaj vartësve të tij që të jenë më afër problemeve të qytetarëve.
“Kur ecin në shtetin e të drejtës, shtetet demokratike e ndërrojnë shoferin. Shqipëria sot është në udhëkryqin e fundit, në rrugën për në shtëpinë e madhe të Evropës. Për herë të parë dera e hapur e asaj shtëpie shikohet me sy në kalendar. Nuk është shtëpi që herë duket, herë s’duket nga mjergulla, por është mu aty, para nesh, është reale. Por nga ana tjetër dihet botërisht që ajo derë nuk rri hapur gjithmonë, hapet një herë çdo brez dhe mbyllet pa pritur, pa pyetur dhe pa pritur më askënd. Dhe pikërisht tani para derës së hapur, Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes të ndryshojë drejtim në mes të rrethrrotullimit apo udhëkryqit. Për ta thënë qartë, kjo nuk është beteja e PS për të mbetur në pushtet, por e Shqipërisë për të zënë vendin që i takon në sofrën që i takon. Ne nuk kërkojmë meritën e historisë, por përgjegjësinë e historisë për ta çuar më tej”, tha kreu i ekzekutivit.
Kryesocialisti foli edhe për kërkesën e qytetarëve për dorëheqjen e tij dhe të qeverisë. Ai u shpreh se ka një objektiv kryesor, anëtarësimin e vendit në BE.
“Kjo nuk do të thotë që Shqipëria të mos njohë rotacionin se rotacionin e cakton populli dhe jo ne, ai me votën e tij. Por viti 2030 ta gjejë Shqipërinë brenda në BE e jo duke ardhur rrotull, në udhëkryq e që mund të bëhet udhëkryqi i një brezi tjetër. Ne e nxorëm Shqipërinë nga një epokë kryesore, problemesh, tani jemi në epokë e pritshmëri të rritura më shumë se asnjëherë, më lartë se asnjëherë. Pikërisht se jemi në këtë epokë kemi hyrë në sprovën kryesore si asnjë herë tjetër. Fuqizimi i besimit te shteti është prova dhe sprova te demokracia dhe Shqipërinë të pashaportizuar në BE”, tha ai.
Rama pranoi edhe gabimet në qeverisjen socialiste dhe të metat. “Ndaj mandati i katërt nuk duhet, nuk është dhe do bëjmë çmos të mos jetë zgjatimi i këtij mandati të katërt. Kemi bërë gabime dhe kemi të meta, por kemi bërë edhe transformime të mëdha. Mandati nuk do jetë vetëm për faktin se do mbyllim negociatave apo kufiri i të ardhurave do kapërcejë 30 miliardë eurot si kthesë për ekonominë, por ky për PS duhet të jetë mandati i një kthese strategjike për PS. Nga partia që shkon te njerëzit për votën e tyre, te partia që rri pranë tyre, ku njerëzit kërkojnë vëmendjen e saj për t’i treguar se çfarë vendi duan në rrugën e kësaj historie. T’u hapësh rrugën të rinjve nuk do të thotë tu japësh pushtetin forcave të reja që s’kanë qenë ndonjëherë në pushtet, por ta hapësh partinë për këta të rinjtë”, vijoi ai.
Kryesocialisti shprehu mbështetjen e mëtejshme për drejtësinë, si një nga kushtet për integrimin në BE, por kërkoi më shumë prezencë të partisë te qytetari, sesa përdorimin e qytetarit për votën.
“Ta bëjmë të palëkundshme besimin te drejtësia, e për barazi, t’i japim jetë një marrëdhënieje tjetër, ta vëmë partinë në funksion të qytetarit e jo qytetarin në funksion të partisë. Të ecim përpara me ide të qarta e këmbëngulje të madhe, derisa populli të flasë ndryshe me votën e tij”, tha Rama.