AKTUALITET, 19 August 2026, 13:07

Operacioni/ Kishte kultivuar 135 bimë kanabisi në Dukat të Vlorës, kapet në flagrancë 33-vjeçari

Një 33-vjeçar është arrestuar sot në flagrancë në fshatin Dukat të Vlorës, sepse dyshohet se kishte kultivuar plot 135 bimë narkotike Cannabis Sativa. Pas disa javësh hetimesh pro aktive, operacioni i koduar ‘Afternoon’ u finalizua sot nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Vlorës.

Në pranga ra personi me inicialet H.K nga Dukati i cili u kap në vendin ku dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike. Sipas Policisë, bimët u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë qarkun e Vlorës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë 

"Finalizohet operacioni i koduar “Afternoon”, goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Dukat.  Kapet në flagrancë në vendin ku kishte kultivuar 135 bimë narkotike dhe vihet në pranga 33-vjeçari. Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Vlorë, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda proaktive, për disa javë, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Afternoon”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin H. K., 33 vjeç, banues në fshatin Dukat, i cili u kap në flagrancë në vendin ku dyshohet se kishte kultivuar 135 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Bimët u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.  

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Vlorë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme"