TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

I pafati, 20-vjeçari portugez, Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra me thikë nga punonjësi i kompleksit luksoz ‘Principotes’ erdhi për pushime në Ksamil me një agjenci turistike të huaj.
Ai ishte pjesë e një grupi me të rinj nga Portugalia e Franca që kishin zgjedhur të pushonin në rivierën shqiptare, por u përfshi në një sherr me punonjës të ‘Principotes’, të cilët pasi e dhunuan me grushte e vranë duke e goditur me thikë dhe trupin e pajetë e lanë jashtë, deri në momentin kur u zbulua nga policia.
Një ditë pas vrasjes, jane zbardhur dëshmitë e turistëve të tjerë që kanë qenë në lokal. Të rinjtë kanë deklaruar para grupit hetimor se nuk e parë momentin e vrasjes dhe e kanë mësuar vetëm në mëngjes kur ka mbërritur Policia.
Për vrasjen u arrestuan 11 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Autori i dyshuar është Sokrat Lipan alias Vata i cili u kap 5 orë pas ngjarjes në Levan të Fierit, në bagazhin e një automjeti. Në pranga bashkë me të ranë dhe dy turqit që po e transportonin drejt Tiranës.
Ndërkohë që është zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes tronditëse. David Heurtevent, një shqiptar me nënshtetësi britanike dhe banues në Tiranë, ka qenë personi që është konfliktuar fillimisht me portugezin. Sherri dyshohet se nisi për një vajzë dhe më pas u përfshinë edhe klientë e kamerierë të lokalit, bashkë me Sokrat Vatën.
Fillimisht David Heurtevent, klient në lokal, ka qëlluar me grushte të riun portugez dhe pasi është dhunuar edhe nga pjesëtarët e tjerë të stafit, ka qenë Sokrat Vata nga Hasi që e ka tërhequr të riun duke e nxjerrë jashtë ambientit clubit të natës brenda Principotesit, “La Guerre”. Turistin portugez e ka dërguar deri te shezlongët e beach bari-t aty pranë, “Paradise”, ku edhe e ka goditur me thikë për vdekje.
Pas vrasjes, Vata është ndihmuar nga një prej truprojave të Principotesit për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Efektivi Moisid Matushaj, i cili shërbente edhe si truprojë te 'Principotes' e ka transportuar Vatën, me një makinë në pronësi të tij, deri në qendër të Ksamilit dhe më pas vetë është kthyer sërish me të njëjtën makinë në kompleksin luksoz. Më pas, Vata ka rënë në kontakt me dy turqit të cilëve u kërkoi ndihmë për ta larguar me makinë, derisa u arrestua në Levan brenda bagazhit. Dy turqit të arrestuar, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak deklaruan se me Vatën kishin krijuar raport shoqëror dhe se disa herë e kishin paguar si shoqërues personal.
David Heurtevent, i cili nisi sherrin, është shpallur në kërkim. Bashkë me Vatën akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim. Në kërkim është edhe pronari i lokalit Bekim Bulica nga Hasi, i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar krimin.
Edhe Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, kamerierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konflikt, duke e goditur me grushte të riun portugez, para se ta vritej dhe janë larguar nga vendngjarja.
Në momentin e konfliktit, në lokal kanë qenë në rolin e bodyguardëve efektivi i policisë Moisid Matushaj, punonjësi i policisë Bashkiake Romeo Shehu dhe Kristi Koshi, të akuzuar se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e ngjarjes dhe për mosnjoftimin e policisë së Shtetit. Deri më tani mësohet se është pezulluar nga detyra polici Shehu.
Personat e përfshirë dhe rolet e tyre në ngjarje
Sokrat Lipan alias Sokrat Vata – autori i dyshuar i krimit, i arrestuar.
Nuh Mahmutoglu – shtetas turk, i arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
Ezgi Perlak – shtetase turke, e arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
Serxhi Selimi – kamerier në lokal.
Ervis Bunci – kamerier në lokal.
Ildi Cekani – kamerier në lokal.
Murat Zhabina – kamerier në lokal.
Miosid Matushaj – oficer i Policisë në Gjirokastër; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
Luciano Seferi – punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
Romeo Shehu – polic bashkiak në Gjirokastër; i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra.
Kristi Koshi – i arrestuar; funksioni apo vendi i tij i punës nuk dihet.
David Heurtevent – klient në lokal, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.
Bekim Bulica – pronar i lokalit, i shpallur në kërkim për fshehjen e krimit.