AKTUALITET, 18 September 2026, 09:22

"Nuk keni lënë plehrë pa e kthyer në hero”/ “Becchetti”, Rama në Kuvend: Ka ikur koha kur lloj-lloj legenësh e kriminelësh mund të merrnin çfarë të donin. Do të marrë zero lekë

Çështja e gjyqit me biznesmenin italian Francesco Becchetti u diskutua edhe në orët e para të mëngjesit të sotëm në seancën “maratonë” parlamentare.

Ishte kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, i cili edhe një herë i kërkoi llogari kryeministrit Rama në rikthimin e tij në Kuvend, teksa kryeministri nuk e kurseu përgjigjen, duke theksuar se Becchetti nuk ka marrë asnjë lek nga buxheti i shtetit shqiptar, teksa vetëm një shumë e caktuar është e ngrirë deri në fund të procesit gjyqësor.

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me opozitën në Kuvend, duke përgënjeshtruar pretendimin se biznesmeni italian, Francesco Becchetti do përfitojë 100 milionë euro nga shteti shqiptar, pas vendimit në arbitrazh.

Në Kuvend, Rama deklaroi se Becchetti do marrë zero lekë nga shteti shqiptar dhe se do të përballet me drejtësinë.

“Meqë më doli emri, një saktësim. Nuk kam thënë nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, kam thënë, ai subjekti që e fitoi atë çështje, do marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Pavarësisht se partia juaj tha se ai mori 100 milionë euro, dua t’iu informoj, se ai ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar, si shumë të tjerë, që kur kapen mbas Shqipërisë, padrejtësisht, pastaj për një arsye ose tjetër nuk i shkon mbarë jeta, ai sot që flasim, subjekti së bashku me një apo dy nga arbitrat përkatës, do përballen me drejtësinë”, tha ai.

Dhe më tej vijoi se ka ikur koha kur kriminelët marrin ç’të duan nga shteti dhe se Becchetti do përballet me drejtësinë dhe se lekët e ngrira do kthehen herët e vona.

Më herët sesa vonë, të gjitha lekët që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol do i kthehen shtetit shqiptar. Koha kur lloj-lloj kriminelësh dhe legenash mund t’i merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur. Ai do marrë zero lekë nga shteti shqiptar, këtë kam thënë unë. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore, jemi në disa procese me subjektin në fjalë. Ka edhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë. Për fatkeqësinë tuaj që keni shpërndarë atë lajm, ai do marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Të gjitha lekët e mbajtura të ngrira, do kthehen në Shqipëri më herët sesa vonë”, theksoi Rama.

Debati:

Bardhi: “Përse shkelni vazhdimisht vendimet e Kushtetueses? Për këtë duhet t’i jepni një përgjigje popullit shqiptar…”

Rama: “Winston Churchill thoshte se hajvani është dikush që jo vetëm nuk ndryshon mendje, por nuk ndryshon as argument.

Ndërkohë që unë jam këtu prezent, me zërin tim, unë thashë që ai (Becchetti) ka marrë dhe ka për të marrë zero lek, nuk thashë, sepse nuk ka ndodhur, se po të ndodhte kjo, do të ishte në librat e llogarive të shtetit shqiptar, që ai ka marrë dhe do t’ia marrim mbrapsht. Unë thashë që ai ka marrë zero lek.

Fondi është një fond i ngrirë deri në fund të procesit, pikërisht sepse ndryshe nga çfarë mendoi ai, që u kthye në heroi i këtyre këtu, që nuk lënë plehrë pa e kthyer në hero për të sulmuar më çdo kush dhe me çdo kusht dhe me çmimin e përbaltjes së Shqipërisë, palën tonë, ndërkohë që sot, pikërisht çështja se arbitrazhit nuk u mbyll ashtu sikundër ëndërronte ai subjekt, ne jemi në disa procese dhe zero lek janë marrë, zero lek do të merren.

Kjo është e vërteta. Për sa i përket pastaj 34 milionë e 450 milionë, e 70 milionë e 80 milionë, kjo është një përpjekje shumë e vjetër që ka po të njëjtin rezultat.

Rrokanisje pafund kokës së shqiptarëve dhe në fund ballit nga shqiptarët, sa vijnë zgjedhjet, dhe përsëri shqiptarët ballit, sa vijnë zgjedhjet, shqiptarët ballit do t’ua japin për të gjitha këto që bëni, sepse sa më shumë t’i merrni për budallenj, aq më shumë do ta merrni ballit nga shqiptarët në çdo palë zgjedhje. Kjo është e vërteta.

Për sa i përket pastaj çështjes në fjalë, unë do të flas, patjetër që do të flas dhe do të flas kur të dëshiroj unë, jo kur vendosni ju. Por do të flas, këtu jam për të folur. Por po dëgjoj një herë të gjitha mendjet e ndritura të mendimit juridik të parlamentit, pastaj do të them dhe unë ato që mendoj si një piktor i rëndomtë”.