AKTUALITET, 17 September 2026, 19:08

Ngërçi me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, SPAK nis hetimet dhe sekuestron praktikat te Financat

SPAK ka nisur hetimet për çështjet e pagave të gjyqtarëve dhe ka sekuestruar praktikat te Financat. Kujtojmë se gjyqtarët depozituan kallëzim penal lidhur me mosekzekutimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026.

Në kallëzim kërkohet që organi i prokurorisë të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave. Mes personave të kallëzuar është edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.

Në kallëzim theksohet se situata nuk prek vetëm një magjistrat, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin. Sipas kallëzimit, qëllimi është që prokuroria të përcaktojë përgjegjësinë individuale për veprimet ose mosveprimet konkrete që kanë çuar në mosekzekutimin e pagave.