AKTUALITET, 17 September 2026, 21:05

Lukasi 3 javësh po lufton për jetën në intubim, familja nga Shkodra kërkon ndihmën e shqiptarëve për ta kuruar jashtë vendit

Sado që ardhja në jetë e një fëmije përbën gëzimin më të madh për çdo familje, për familjen Vladaj nga Shkodra fati rezervoi një sprovë tejet të rëndë.

Lukasi i vogël, vetëm tri javësh, po lufton për jetën i intubuar në një spital të Tiranës për shkak të një patologjie të rëndë në mushkëri të pësuar që në momentet e para të lindjes. Për shkak të gjendjes kritike shëndetësore, prindërit nuk kanë mundur ta mbajnë asnjëherë në krahë apo ta përqafojnë foshnjën e tyre siç kishin ëndërruar, ndërsa vëllezërit e tij që e prisnin me padurim në shtëpi sot presin me ankth çdo lajm nga mjekët.

Mjekët vlerësojnë se e vetmja shpresë për shpëtimin e Lukasit lidhet me dërgimin e tij urgjent për trajtim të specializuar jashtë Shqipërisë. Megjithatë, kostoja totale e trajtimit dhe e shpenzimeve spitalore arrin në rreth 95 mijë dollarë, një shifër krejtësisht e papërballueshme për familjen. Për më tepër, vetëm transporti i foshnjës kërkon një ambulancë ajrore të pajisur posaçërisht për pacientët në kujdes intensiv, kostoja e së cilës përllogaritet në rreth 30 mijë dollarë, duke e rënduar edhe më tej situatën e familjes Shkodrane.

Për të ndihmuar familjen Vladaj në këtë betejë me kohën, Fondacioni Firdeus ka hapur një fushatë për grumbullimin e fondeve në platformën GoFundMe. Prindërit e Lukasit u drejtohen të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit me një apel prekës për solidaritet, duke kërkuar që secili të kontribuojë sipas mundësive për t’i dhënë foshnjës mundësinë të marrë mjekimin e nevojshëm dhe t’i rikthehet përkëdheljeve të familjes së tij.

 

LINKU i GOFUNDME – KLIKO KËTU