TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kritikuar qeverinë dhe shumicën parlamentare, duke deklaruar se Kuvendi është kthyer në një institucion që, sipas saj, vepron në funksion të kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Zhupa tha se problemet kryesore të shqiptarëve janë korrupsioni, vjedhja, shpopullimi dhe, sipas saj, injorimi i shqetësimeve të qytetarëve.
“Rama nuk duhet të shqetësohet për algoritmin, problemi i tij duhet të jetë urrejtja e shqiptarëve dhe të japë dorëheqjen”, u shpreh Zhupa. Ajo akuzoi mazhorancën se sloganin “Shqipëria që duam” e ka zëvendësuar me një realitet ku, sipas saj, përfitojnë oligarkët.“Ju vazhduat me ‘Shqipërinë që duam’ dhe e bëtë ‘Shqipërinë që duan oligarkët’. Tani keni shpikur pasqyrën. Pasqyra reflekton vetëm realitetin. Jemi katandisur keq e ju thoni hajdeni reklamojmë propagandën”, deklaroi deputetja demokrate.
Duke iu referuar protestave, Zhupa tha se shqiptarët kanë zhvilluar një protestë që, sipas saj, synon që Shqipëria të jetë një vend më i jetueshëm. Zhupa përmendi gjithashtu të ashtuquajturat “Albanian Files”, duke pretenduar se aty gjenden projekte të Edi Ramës që nuk janë bërë të ditura për qytetarët. Ajo shtoi se në Kuvend janë ndryshuar të paktën gjashtë ligje.
“Ligjet këtu bëhen sipas Ramës. Kuvendi nuk është reflektim i kërkesave të qytetarëve, por një institucion që reflekton vetëm dëshirat e Edi Ramës”, tha Zhupa. Në përfundim të fjalës së saj, deputetja e PD-së deklaroi: “Të jeni të sigurt se fundi do të jetë i dhimbshëm.”