AKTUALITET, 17 September 2026, 18:59

Sfidë me transportin në Lezhë! 45 nxënës e mësues detyrohen të udhëtojnë në një mikorbus me 20 vende

Mbi 40 nxënës të shkollës 9-vjeçare të Troshanit në Lezhë kanë bojkotuar procesin mësimor, të cilin duhet ta vazhdojnë në një tjetër shkollë. Për shkak të rikonstruksionit të shkollës së Troshanit, nxënësit janë orientuar të vijojnë procesin mësimor në shkollën e Krajanit, rreth 7 kilometra larg.

Por, sipas prindërve të nxënësve që sot kanë protestuar, mikrobusi që është në dispozicion të transportit të mësuesve dhe nxënësve nuk ka më shumë se 20 vende, ndërsa fëmijët e tyre detyrohen të ngjishen dhe të udhëtojnë në kushte aspak normale dhe aq më pak të sigurta. Prindërit kanë denoncuar edhe mungesën e kushteve në shkollën e Krajanit.

Në lidhje me këtë shqetësim, drejtori i Arsimit Parauniversitar në Lezhë, Hasan Muça, jashtë kamerave ka premtuar zgjidhjen e problematikës me vendosjen edhe të një mjeti tjetër në dispozicion për transportin e nxënësve, dhe se, sipas tij, vendimi për transferimin e nxënësve nga shkolla e Troshanit në atë të Krajanit ishte marrë në fund të gushtit, në një kohë kur kontrata për transportin ishte lidhur më herët.