TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria po vijon përgatitjet për përafrimin e administratës doganore me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa synimi është mbyllja provizore e Kapitullit 29, “Bashkimi Doganor”, në tremujorin e parë të vitit 2027.
Në një përgjigje për Albanian Post, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave rendit si prioritete përafrimin e legjislacionit, forcimin e kapaciteteve administrative, modernizimin e sistemeve digjitale dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare.
Kapitulli 29 i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian u hap në maj të vitit 2025. Aktualisht, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD), puna është përqendruar te përmbushja e katër piketave kryesore për mbylljen e tij.
Këto përfshijnë përafrimin e plotë të legjislacionit doganor me acquis të BE-së, forcimin e kapaciteteve administrative dhe operacionale, zhvillimin e sistemeve elektronike doganore dhe përfundimin e procedurave për aderimin në Protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Eliminimin e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit.
Megjithatë, për sa i përket integrimit gradual të Shqipërisë në Tregun e Përbashkët Evropian, Doganat sqarojnë se zhvillimet në nivel të BE-së janë ende në proces dhe se, në këtë fazë, nuk është përcaktuar një kuadër i posaçëm formal për Shqipërinë.
Sipas institucionit, përafrimi me legjislacionin evropian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 29, përbën bazën për përgatitjen e administratës doganore drejt një integrimi më të thelluar.
Kodi i ri Doganor në konsultim
Një nga proceset kryesore është përafrimi i kuadrit ligjor dhe nënligjor me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur për Albanian Post se projektligji për Kodin Doganor është hedhur për konsultim publik dhe është përcjellë paralelisht për konsultim ndërministror përmes sistemit e-Akte.
Gjithashtu, DPD i ka dërguar Ministrisë së Financave projektvendimin për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 651, datë 10 nëntor 2017, që përcakton dispozitat zbatuese të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë.
Edhe ky akt pritet të kalojë në konsultim publik, përpara vijimit të procedurave të miratimit.
Përafrimi ligjor është një prej elementeve thelbësore për harmonizimin e procedurave doganore shqiptare me ato të BE-së dhe për krijimin e kushteve për funksionimin sipas standardeve të përbashkëta evropiane.
Forcimi i kapaciteteve dhe rekomandimet e BE-së
Në drejtim të forcimit të kapaciteteve administrative dhe operacionale, Doganat thonë se po vijojnë masat për rritjen e kapaciteteve njerëzore, zhvillimin profesional dhe përmirësimin e strukturave e proceseve të punës, në përputhje me rekomandimet e DG TAXUD, drejtoria e Komisionit Evropian përgjegjëse për tatimet dhe bashkimin doganor.
Në mars të vitit 2026 u zhvillua Misioni i Monitorimit të Kapaciteteve Administrative, gjatë të cilit u identifikuan rekomandime për forcimin e mëtejshëm të administratës doganore.
Në vijim, Plani i Veprimit i Strategjisë së Biznesit të DPD-së për periudhën 2026–2027 u miratua me urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm nr. 25/1, datë 4 maj 2026. Ky plan synon të shërbejë si instrument për ndjekjen e masave dhe përmirësimin e performancës së institucionit.
Modernizimi digjital, në fokus sistemet doganore të BE-së
Një tjetër shtyllë e rëndësishme është modernizimi i sistemeve të informacionit. Sipas DPD-së, vijon zbatimi i Strategjisë për Modernizimin dhe Harmonizimin e Sistemeve të Informacionit 2025–2030, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 710, datë 26 nëntor 2025.
Puna përqendrohet në zhvillimin dhe përafrimin e sistemeve si NCTS, National Single Window, AES, ICS2 dhe EORI, të cilat lidhen me tranzitin, shkëmbimin e të dhënave, eksportet, sigurinë e importeve dhe identifikimin e operatorëve ekonomikë.
Paralelisht, vijon modernizimi i sistemit ASYCUDA, në bashkëpunim me UNCTAD dhe DG TAXUD, me synimin për të kaluar drejt platformës ASY5 EU.
Sipas Doganave, objektivi është që sistemet kombëtare të bëhen gradualisht të përafruara dhe të ndërveprueshme me sistemet e BE-së, duke mundësuar shkëmbimin elektronik dhe të standardizuar të të dhënave doganore.
Kjo kërkon standardizimin e të dhënave, përmirësimin e ndërveprimit mes sistemeve kombëtare dhe atyre evropiane, si dhe forcimin e kapaciteteve teknike e institucionale.
Më 1 tetor 2026, në Bruksel u zhvillua takimi i parë koordinues mbi zbatimin digjital dhe nivelin e gatishmërisë së Shqipërisë për integrimin me sistemet doganore të Bashkimit Evropian. Takimi u fokusua te përgatitjet e vendit, zhvillimet digjitale dhe përafrimi i sistemeve me kërkesat evropiane.
Shqipëria synon integrimin në sistemin e përbashkët të tranzitit
Në kuadër të Kapitullit 29, një objektiv tjetër është përfundimi i procedurave për anëtarësimin e Shqipërisë në Konventën për një Procedurë të Përbashkët Tranziti dhe në Konventën SAD.
Ky proces synon të mundësojë integrimin gradual të Shqipërisë në sistemin e tranzitit të BE-së dhe të lehtësojë lëvizjen e mallrave.
Pjesë e angazhimeve është edhe zbatimi i Protokollit të OBSH-së për Eliminimin e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit. Ligji nr. 7/2026, datë 27 janar 2026, për aderimin e Shqipërisë në këtë protokoll është miratuar dhe publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 34, datë 12 shkurt 2026.
Me urdhrin nr. 106, datë 29 maj 2026, është ngritur grupi ndërinstitucional i punës për koordinimin e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i protokollit.
Gjithashtu, është përgatitur një draft fillestar i Udhërrëfyesit Kombëtar të Zbatimit, i cili evidenton boshllëqet ligjore, administrative, teknike dhe infrastrukturore dhe përcakton masat e nevojshme për zbatimin e plotë dhe gradual të tij.
Objektivi: mbyllja provizore e kapitullit në fillim të vitit 2027
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se vijon punën për përmbushjen e piketave mbyllëse të Kapitullit 29, me synimin për ta mbyllur atë provizorisht në tremujorin e parë të vitit 2027.
Institucioni thekson se masat e ndërmarra synojnë krijimin gradual të një mjedisi doganor të harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian, ku procedurat, sistemet elektronike, të dhënat dhe kontrollet doganore të funksionojnë sipas standardeve të përbashkëta.
Në përgjigjen për Albanian Post, Doganat sugjerojnë që për informacione më të hollësishme mbi politikat tregtare dhe procesin e integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së t’u drejtohen edhe institucioneve të tjera përgjegjëse për këto fusha.