AKTUALITET, 27 October 2026, 14:33

Rrugët/ Përfundon aksi Kombinat–Pezë, Karakaçi: Lidhet kontrata për 9 km të tjera drejt Ndroqit, ndërsa 10 km deri në Plepa, në garë brenda nëntorit

Rrugët/ Përfundon aksi Kombinat–Pezë, Karakaçi:

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se po ndërmerren hapat për përfundimin e aksit rrugor Kombinat–Ndroq–Plepa. 

Pas përfundimit të 5 kilometrave të para deri në Pezë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e punimeve në 9 kilometrat pasues, ndërsa 10 kilometrat e fundit deri në Plepa janë të financuar dhe pritet që procedura e konkurrimit të hapet brenda mesit të muajit nëntor.

Sipas Karakaçit, ky aks rrugor ka rëndësi të veçantë për lehtësimin e qarkullimit drejt Durrësit, veçanërisht gjatë sezonit turistik por edhe për zhvillimin ekonomik të zonave përgjatë tij.

Ministri theksoi gjithashtu se rruga do të shërbejë si një alternativë e rëndësishme për lidhjen e Tiranës me Durrësin, duke përmirësuar aksesin për zonat bujqësore dhe piktoreske, si dhe duke ndikuar në rritjen e vlerës së pronave në këtë territor.

“Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat–Plepa. Tashmë, 5-kilometrat e parë, që të çojnë deri në Pezë, janë të përfunduar dhe janë marrë në dorëzim edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lajmi i mirë është që ditën e djeshme Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave pasues. Edhe 10 kilometrat që të çojnë deri në Durrës, në Plepa, janë të financuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përmbyll të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapim procedurën e konkurrimit.

Pra kemi një segment Kombinat–Plepa, i cili është i financuar. 9 kilometrat vijues tashmë janë lidhur ditën e djeshme me kontratë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa 10 kilometrat pasues, që të çojnë deri në Durrës, janë të financuar dhe brenda mesit të muajit nëntor hapet procedura e konkurrimit.

Ky aks është i rëndësishëm, sepse së pari është një rrugë alternative që të çon deri në Durrës, shumë e përdorur sidomos gjatë sezonit turistik. Së dyti, kemi një zonë bujqësore, për të cilën është shumë i rëndësishëm aksesi me qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin. Është gjithashtu një zonë piktoreske. Bëjmë edhe rritjen e vlerës së pronës për gjithë këtë zonë dhe këtë segment.”- ka theksuar ministri Karakaçi