TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Me paketën e re fiskale, qeveria propozon ndryshime edhe në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për bizneset.
Nga 1 janari 2027, pragu i regjistrimit të detyrueshëm për TVSH-në propozohet të ulet nga 10 mln lekë, që është aktualisht, në 5 mln lekë qarkullim vjetor.
Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, ndryshimi pritet të përfshijë rreth 17,516 tatimpagues të rinj në skemën e TVSH-së.
Aktualisht, bizneset me qarkullim vjetor mbi 10 mln lekë janë të detyruara të regjistrohen në skemën e TVSH-së, ndërsa ato me qarkullim mbi 5 mln lekë mund të zgjedhin regjistrimin vullnetar, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Ndryshimet janë propozuar në projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, ‘Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”’, të ndryshuar”.
Sipas relacionit, ulja e pragut synon formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, zgjerimin e bazës së tatueshme dhe përmirësimin e administrimit të TVSH-së.
“Në nenin 11 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 953/2014 përcaktohet kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili prej janar 2021 është 10 (dhjetë) milionë lekë, me përjashtim të personave të tatueshëm, që ofrojnë shërbime sipas profesioneve të tilla, si: noter, përmbarues gjyqësor shtetëror dhe privat, kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në së të cilëve është zero, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre.
Ndërkohë, qarkullimi vjetor më i madh se 5,000,000 (pesë milionë) lekë, është aktualisht një kufi minimal i regjistrimit për TVSH-në, por me të drejtë zgjedhjeje nga tatimpaguesit.