AKTUALITET, 26 July 2026, 10:23

“Na larguat fëmijët nga vendi”, ish-kryetari i PS së Korçës akuzon Ramën: Krijove administratën më të korruptuar në 114 vite shtet

Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama flet për “Besë” dhe administratë që do të ndryshojë, ndryshe janë mendimet e atyre që kanë punuar edhe afër tij ndër vite.

Një prej tyre është edhe ish-kryetari i PS në Korçë, Muharrem Meko, i cili me një postim në rrjetin social, thekson se administrata e Ramës është më e keqja në 114 vite shtet, madje duke konkurruar edhe atë të Berishës.

Ai thotë se kjo qeveri ka larguar edhe të rinjtë nga vendi, kurse përgjegjës për “çorbën” është vetëm kryeministri.

Postimi

Më në fund “i modhi” e paska kuptuar se Administrata na paska qenë shkaktarja e sherrnajës…dhe rebelimit të ‘Pelikanëve’! Pra s’janë shkaktarët e vërtetë, as korrupsioni marramendës, as ikjet e fëmijve të Shqipërisë, as shitja e trojeve e pronave publike buzë detit nga striptistët , as mungesa e drejtësisë, as mungesa e shëndetësisë…

-Asnjëra, asnjëra prej tyre….përveçse Administrata!

Fatkeqësisht, gjithçka që sot më shumë se kurrë po bëhet së prapthi, apo edhe s’bëhet fare, bëhet keq ,apo djallëzisht, në dëm të shqiptarëve e deri për interesa të dyshimta në emër të antishqiptarizmit, apo edhe milionave të zeza që djeg e përvëlon zemrat e shqiptarëve, ka pikërisht këtë emër të neveritshëm!

…kur duhet të ishte ndryshe, krejtësisht ndryshe, përderisa përceptimi qytetar për administratën është si ai një fëmijë për prindin; ndërkohë që korrupsioni galopant e kanë ulur tejmase besimin ndaj saj, e meritokracia në kufijte e analfabetizmit ia kanë ulur kokën shqiptarit, të përgjëruar për “prindin” e munguar, si asnjë populli tjetër në Europë!
Personalisht jam shprehur hapur e prej kohësh se, në historinë 114-vjeçare të shtetit shqiptar, administratë të korruptuar e analfabetë të këtij standardi si kjo e sotmja, as ka patur e as do të ketë!

 

Për hir të së vërtetës s’kishte se si të ishte ndryshe nga një gatesë bajate dhe e pështirë prej brumi të zënë, midis ish-administratës së Berishës, (keqfunksionimi i saj e ndëshkoj Saliun në vitin 2013 me 1 milion vota) dhe peshqesheve sorosjane; llumit G-99 e Mjaftistat që dikur si pelikanët e sotëm ulërinin rrugëve të Tiranës;- Nano ik-PS, ik!
Oooo i Modh !
Askujt mos iu anko; ti je përgjegjësi i vetëm për këtë zallamahi e çorbë që ke gatuar nën logon; Administrata Shtetërore …e që mjerë kujt i bie të ketë punë e të zgjidhë hall me të!
…e për ty personalisht, si koka e saj ??

– S’ mund të them asgjë, përveçse; -të zënçin sytë përpjekjet, mbështetja e qëndresa e atyre mijëra socialistëve të orëve të para, që shkelën mbi vetvetën e ty të priten si Prometeun e Mitologjisë Greke!
…edhe pse s’kishe asnjë pikë kontributi; e kundërta mundet!

Pasi ishe ti që kur ndiqje nga pas Sali Berishën, idealistët e së majtës, heronjtë qëndrestare të saj i kishe anatemuar me lloje-lloje epitetesh, nofkash e etiketimesh nga më të neveritshmet!

Madje si për t’i vënë kapakun urrejtjes ndaj tyre, kur i hipe kalit i hodhe në rrugën e madhe si qenie pa vlera për të mbledhur rreth vetes, vetëm llum e mbetjet analfabete, sorosjane!

Ah se desh harrova; ti po na çon në Europë …por harron se mua dhe mijëra shqiptarë si unë s’na hyn në punë fare…po fare !
…dhe e di se pse?
– sepse kemi në xhep nënshtetësinë amerikane, angleze, gjermane, italiane; falë kujdesit për të na lënë pa fëmijë …sepse fëmijëve tanë, në ndryshim nga të pjellëve tuaj, ua vratë shpresën e na i percollët përtej detit Adriatik e Oqeanit Paqësor!

Më mbetet vetëm të të them; ty të rroftë Saliu!