TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se besueshmëria e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian varet jo vetëm nga reformat e vendeve kandidate, por edhe nga gatishmëria e BE-së për të respektuar angazhimet e saj.
Hoxha tha se Shqipëria ka avancuar me ritme të shpejta në negociatat e anëtarësimit, pasi ka hapur të gjashtë grup-kapitujt brenda 13 muajve dhe ka kaluar vlerësimin e ndërmjetëm për grup-kapitullin “Themeloret”.
“Duke pritur, ne nuk u mjaftuam duke parë yjet. Ne punuam. Vumë ekipet tona në punë. U përgatitëm”, tha Hoxha, duke theksuar se progresi i vendit është rezultat i punës së vazhdueshme.
Ministri pranoi se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara në fusha si lufta kundër korrupsionit, funksionimi i drejtësisë, liria e medias dhe mbrojtja e mjedisit.
“Negociatat kanë të bëjnë me hendekun – ku jemi sot, ku duhet të arrijmë dhe si do ta mbyllim atë”, u shpreh ai.
Hoxha këmbënguli se procesi duhet të mbetet i bazuar në meritë, por theksoi se ky parim duhet të vlejë për të dyja palët.
“Procesi i bazuar në meritë duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Ne marrim angazhime dhe bëjmë reformat, por Bashkimi Evropian duhet të mbajë edhe ai pjesën e vet të marrëveshjes”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, një vend kandidat që përmbush kushtet e vendosura duhet të lejohet të ecë përpara në proces, pasi çdo vonesë e pajustifikuar dëmton besimin e qytetarëve dhe e bën më të vështirë mbështetjen për reformat.
“Mos humbni asnjë çast, asnjë minutë, asnjë orë. Punoni, punoni, punoni”, ishte mesazhi i tij për administratën shqiptare.
Hoxha u shpreh gjithashtu në favor të integrimit gradual të vendeve kandidate në strukturat evropiane edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Ai theksoi se Shqipëria është tashmë plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.
“Gjithçka që diskutojnë ata bëhet edhe e jona. Atëherë pse të mos jemi të pranishëm si vëzhgues? Nuk mund të votojmë, por mund të shkëmbejmë mendime, të mësojmë dhe të përgatitemi”, tha ai.
Duke folur për orientimin strategjik të Shqipërisë, Hoxha theksoi se zgjedhja evropiane nuk është e pjesshme.
“Kur bën një zgjedhje, siç kemi bërë ne për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, nuk është si një meny. Ne marrim të gjithë paketën”, deklaroi ministri.
Në fund të intervistës, ai e cilësoi integrimin evropian si projektin më të rëndësishëm për vendin.
“Për ne është vijë jetike. Është vendimtare. Është i vetmi projekt. Ky është e ardhmja jonë”, u shpreh Hoxha.