AKTUALITET, 15 September 2026, 22:24

Mbyllet protesta e 108-të kundër qeverisë, qytetarët përfundojnë marshimin me thirrjen: Nesër më shumë!

Pas disa orësh protestë dhe marshim në rrugët e Tiranës, ka përfunduar protesta e 108-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët, të cilët e nisën marshimin pas grumbullimit në shesh, u zhvendosën nëpër rrugët e kryeqytetit, duke përcjellë thirrjet e tyre kundër qeverisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Gjatë marshimit, protestuesit brohoritën “Dorëheqje!”, “Ju erdhi fundi!” dhe “Rama, jep dorëheqjen!”, ndërsa përsëritën edhe thirrje në mbështetje të qytetarëve të arrestuar gjatë protestave.

Në vijim të marshimit, protestuesit u ndalën te Blloku i Sigurisë në zonën e “Mine Pezës”, ku shprehën mbështetjen për qytetarët e arrestuar dhe kërkuan lirimin e tyre.

“Lironi shqipet!”, “Nuk jeni vetëm!” dhe “Gjithë Shqipëria është me ju!” ishin disa prej thirrjeve të protestuesve në mbështetje të të ndaluarve.

Pas qëndrimit pranë Bllokut të Sigurisë, qytetarët vijuan marshimin dhe më pas i dhanë fund protestës së 108-të në sheshin Skënderbej, me thirrjen: “Nesër më shumë!”.