AKTUALITET, 15 September 2026, 21:40

"Jam çlirimtar"/ Nga thirrjet para kryeministrisë te marshimi në rrugët e Tiranës, çfarë ndodhi në protestën e 108-të

Ka vijuar këtë të hënë protesta e 108-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama në Tiranë. Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, ndërsa pas përfundimit të fjalimeve të aktivistëve, qytetarët vijuan me marshimin në rrugët e kryeqytetit.

Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëria po bën revolucion”, “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria”, “Ju erdhi fundi”, “Arrestoni Ramën” dhe “Dorëheqje”.

Mesazhet e protestuesve përmes pankartave

Në protestën e 108-të nuk kanë munguar pankartat me mesazhe politike dhe ironizuese ndaj qeverisë dhe zhvillimeve të fundit.

“108 na bllokon online. Na gjen në shesh”, shkruhej në njërën prej tyre.

Një tjetër pankartë i drejtohej kryeministrit Rama me mesazhin: “Rama jashtë – problem me shqiptarët. Kur popullit i fshihesh, me ç’fytyrë pushtetit i ngjitesh?”

Kritika janë përcjellë edhe ndaj sistemit të drejtësisë dhe debatit për pagat e gjyqtarëve dhe magjistratëve. “Pagat e gjyqtarëve – shfaqje e qëllimshme, skandalet e Ramës – heshtje e dhimbshme!”, shkruhej në një prej pankartave.

Thirrje për vijimin e protestave

Gjatë fjalimeve para Kryeministrisë, aktivisti Arben Kola bëri thirrje për vijimin e protestave dhe rritjen e presionit publik ndaj qeverisë. Ai kërkoi që SPAK-u të vijojë me hetimet dhe arrestimet e zyrtarëve të lartë.

“Veliaj në qeli dhe shqiptarët të lirë. Radhën e ka Rama. Ju ftoj çdo ditë në shesh të rrisim presionin popullor”, u shpreh Kola.

Ai deklaroi gjithashtu se SPAK-u duhet të vijojë me arrestimet, duke e cilësuar këtë institucion si të rëndësishëm për atë që ai e konsideron çlirimin e vendit nga kapja e mafies.

Kola njoftoi edhe për një tjetër protestë të paralajmëruar para Parlamentit. Sipas tij, Kuvendi pritet të mblidhet të enjten në një seancë urgjente për shqyrtimin e pesë projektligjeve, të cilat ai i akuzoi se synojnë, sipas tij, të dëmtojnë interesat e qytetarëve.

“Ditën e enjte parlamenti i krimit rimblidhet me urgjencë për të kaluar 5 ligje që kanë për grabitjen e shqiptarëve. Ndaj atje janë kriminelët, tradhtarët. Ditën e enjte ora 10: të gjithë te Parlamenti”, deklaroi ai.

Kritika për bujqësinë dhe subvencionet

Në fjalimet e protestuesve u ngritën edhe çështje që lidhen me gjendjen e bujqësisë.

Anëtarja e Dhomës Britanike të Drejtësisë, Silvana Hoxha Xhaferri, deklaroi se bujqësia në Shqipëri ndodhet, sipas saj, në gjendje të rëndë. Ajo akuzoi qeverinë se subvencionet e Bashkimit Evropian përfundojnë te njerëz pranë kryeministrit Edi Rama.

“Bujqësia është në ditën e vet më të zezë sot. Bujqësia sot nuk ka subvencione, sepse vidhen. Edi Rama kërkon pranë vetes vetëm njerëz, që kërkojnë të vjedhin”, tha ajo.

Hoxha Xhaferri kërkoi gjithashtu që Edi Rama dhe Sali Berisha të përballen me drejtësinë, ndërsa bëri thirrje për vijimin e protestave.

Ajo përmendi edhe fermerët në disa qytete, duke pretenduar se situata e krijuar në sektor ka sjellë pasoja për prodhuesit vendas.

Thirrje për bashkimin e studentëve

Një studente që mori fjalën në protestë bëri thirrje për bashkimin e qytetarëve dhe veçanërisht të studentëve në protestë.

“Bashkohuni sa më shpejt. Ne do vazhdojmë dhe ju presim këtu në shesh. Bashkohuni studentë, kombi na thërret dhe nuk na ndal më asgjë. Nuk ikim nga ky shesh”, u shpreh ajo.

Studentja iu referua gjithashtu zhvillimeve të ditës dhe largimit të Taulant Ballës nga protesta, duke deklaruar se qytetarët duhet të vijojnë qëndrimin në shesh.

Akuza të tjera gjatë protestës

Një tjetër protestues, i cili u prezantua si babai i një personi të arrestuar nga policia për pjesëmarrje në protesta, ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit dhe institucioneve shtetërore.

Ai deklaroi se qeveria ka dëmtuar, sipas tij, policinë dhe drejtësinë, ndërsa kritikoi edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë shqiptare.

“Rama mori përsipër të na shuante si komb. Ka njollosur policinë dhe drejtësinë. Nuk ka policë të mirë, nuk ka drejtësi”, u shpreh protestuesi.

Ai tha gjithashtu se përgjegjësia për situatën, sipas tij, nuk është vetëm e qeverisë, por edhe e aktorëve ndërkombëtarë që e mbështesin atë.

Protesta vijon me marshim

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët nisën marshimin në rrugët e Tiranës, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë.

“Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Arrestoni Ramën” dhe “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria” ishin disa prej thirrjeve të dëgjuara gjatë marshimit.

Protesta e sotme shënon ditën e 108-të të revoltës kundër qeverisë. Pjesëmarrësit deklarojnë se do ta vijojnë qëndresën edhe në ditët në vazhdim, duke e mbajtur presionin qytetar ndaj qeverisë deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore për largimin e Edi Ramës.