TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe njëkohësisht Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, ka deklaruar se në komunikimet me Ministrinë e Financave për bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe administratës së sistemit gjyqësor janë përballur me “arrogancë”.
Në Komisionin e Ligjeve, duke folur për projektligjin e Partisë Socialiste për rritjen e pagave të magjistratëve, Hoxha tha se institucionet e drejtësisë janë të gatshme të negociojnë mënyrën e shlyerjes së detyrimeve, por jo vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai theksoi se formula e re e pagave ka hyrë në fuqi më 1 gusht 2026 dhe se, nëse synohet ndryshimi i saj, kjo duhet të jetë baza e diskutimit. Hoxha deklaroi se gjyqtarët janë të gatshëm të negociojnë mënyrën e pagesës së detyrimeve të prapambetura, edhe pse, sipas tij, ato u takojnë menjëherë në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Neve na dhimbset buxheti i shtetit. Jemi gati të negociojmë pagesën e prapambetur. Të mos e marrim menjëherë, edhe pse na takon menjëherë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por ta zgjasim edhe në 2 apo 3 vite pagesën”, deklaroi ai.
Hoxha tha gjithashtu se mund të negociohet edhe për paditë individuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat, sipas tij, krijojnë një kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e kostos së pagave të prapambetura lidhet me institucione të tjera që kanë paga të indeksuara me atë të gjyqtarëve.
“Ne jemi gati në negociojmë dhe paditë individuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve nëpër gjykata, që dhe ato kanë një kosto gati që e rëndojnë 17% buxhetin e shtetit. Kosto e pagave të prapambetura nuk është kostoja jonë të nderuar. Ne kemi 50% të kësaj shume, janë kostot e institucioneve të tjera që referohen te paga e gjyqtarit. Këto e kanë ngritur 50%”,- tha Hoxha.