AKTUALITET, 15 September 2026, 21:48

Kultivoi 18 kg drogë/ Arrestohet shqiptari në Vjenë, sekuestrohen kokainë, marihuanë dhe Crystal Meth

Një 37-vjeçar me shtetësi shqiptare dhe një 32-vjeçar me shtetësi austriake janë arrestuar në Vjenë, nën dyshimin për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Operacioni policor u zhvillua më 14 shtator në zonën e Leopoldstadt, në distriktin e dytë të Vjenës.

Sipas policisë austriake dhe raportimeve të mediave vendase, efektivët e grupit për luftimin e kriminalitetit në rrugë (EGS) vunë re rreth orës 13:00 një 37-vjeçar në rrugën Nordwestbahnstraße, sjellja e të cilit u konsiderua e dyshimtë. Për këtë arsye, ai u vendos nën vëzhgim.

Gjatë vëzhgimit, policia e pa shqiptarin teksa merrte një çantë shpine nga një apartament dhe më pas takohej me 32-vjeçarin austriak. 37-vjeçari e vendosi çantën në automjetin e 32-vjeçarit dhe më pas u largua nga vendi.

Efektivët ndaluan automjetin pak më vonë. Gjatë kontrollit, në çantë u gjetën dy qese me gjithsej 1,063.6 gramë marihuanë.

Ndërkohë, policia vazhdoi të ndiqte 37-vjeçarin, i cili hyri sërish në një ndërtesë dhe, pak më vonë, hipi në një automjet tjetër. Gjatë arrestimit të tij, sipas raportimeve të mediave austriake, efektivëve iu desh të përdornin forcë fizike, pasi ai bëri rezistencë.

Hetimet vijuan me kontrolle në dy apartamente në Leopoldstadt. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi gjithsej 16,952.4 gramë marihuanë, 1,496.7 gramë kokainë dhe 58.8 gramë Crystal Meth. Gjithashtu, u gjetën 160 euro para të gatshme dhe disa telefona celularë.

Në total, bëhet fjalë për më shumë se 18 kilogramë lëndë narkotike të sekuestruara.

Dy personat, 37-vjeçari me shtetësi shqiptare dhe 32-vjeçari me shtetësi austriake, u arrestuan përkohësisht.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej tyre dhe për të zbardhur nëse pas sasisë së drogës së sekuestruar qëndron një aktivitet më i gjerë i shpërndarjes së narkotikëve në Vjenë.