BALLKAN, 14 August 2026, 21:50

Kosovë/ Dyshohet se spiunoi për BIA-n serbe, 1 muaj paraburgim për arsimtarin nga Dragashi, Prokuroria zbardh detajet

Një muaj paraburgim i është caktuar Fehim Salit, arsimtarit nga Dragashi, i arrestuar të enjten nën dyshimet për spiunazh në favor të BIA-s serbe.

Masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa kërkesa për paraburgim është paraqitur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, Sali, përballë provave të siguruara nga hetuesit, gjatë intervistimit ka dhënë detaje për veprimtarinë e tij dhe bashkëpunimin me një zyrtar të BIA-s serbe.

Sipas Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet se, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Zhelimir Matoviq, i njohur me nofkën “Zheljko”, ka ofruar informacione për situatën politike në Kosovë.

Në kërkesën për paraburgim thuhet gjithashtu se ai dyshohet se ka bërë identifikimin e zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, përmes fotografimit të tyre, si dhe ka ofruar informacione për persona që i përkasin sektit vehabi dhe persona të tjerë, të cilët më pas ua ka propozuar zyrtarëve të BIA-s si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.

“Duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Zhelimir Matoviq, i njohur me nofkën ‘Zheljko’... i ka ofruar informacione për situatën politike në Kosovë, ka bërë identifikimin e zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, përmes fotografimit të tyre...”

Masat e veçanta të hetimit, sipas kërkesës së Prokurorisë, e kishin përforcuar dyshimin ndaj tij, ndërsa Prokuroria pretendon se Sali nuk i ka kundërshtuar ato as gjatë marrjes në pyetje.

Sipas Prokurorisë Speciale, dyshimi ndaj tij është përforcuar edhe nga deklaratat e vetë të pandehurit.

“Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklaratat e vetë të pandehurit, i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe përmes zyrtarit të saj Zhelimir Matoviq...”

Prokuroria argumenton se ndërlidhja e provave vërteton dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet dhe se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm në këtë fazë të procedurës.

Ishte pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete

Fehim Sali kishte shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës, deri në shkarkimin e tij në maj të vitit 2024.

Ky funksion është përmendur edhe në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

Sipas Prokurorisë, pozita që Sali kishte mbajtur mund t’i kishte ofruar mundësinë për të pasur qasje në informacione të ndjeshme, si dhe kontakte me persona të ndryshëm me rëndësi për funksionimin e institucioneve shtetërore.

Çfarë u gjet gjatë bastisjes?

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, foli edhe për bastisjen e kryer në pronën e të dyshuarit pas arrestimit dhe provat e zbuluara gjatë operacionit.

“Me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s”, deklaroi Kodraliu.

Arrestimi i Fehim Salit nën dyshimet për spiunazh vjen në vazhdën e arrestimeve dhe dënimeve për të njëjtën vepër ndaj një numri të konsiderueshëm personash që kanë mbajtur pozita në institucione të ndryshme.

Në mesin e rasteve të mëparshme kanë qenë persona që kanë shërbyer në Policinë e Kosovës, si dhe në organizata ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në. Sipas materialit, e përbashkëta e këtyre rasteve ka qenë dyshimi për raportim te BIA serbe.