BALLKAN, 13 August 2026, 18:01

Ngërçi politik në Kosovë, Abdixhiku: LDK heq dorë nga çdo kërkesë! S'duam ministri dhe as Presidentin, le t’i mbajë të gjitha LVV

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur të heqë dorë nga çdo kërkesë për poste politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës institucionale në Kosovë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia e tij nuk do të kërkojë pjesëmarrje në qeveri, poste ministrore, drejtimin e Kuvendit apo Presidencën.

“Për ta çliruar procesin nga çdo alibi dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetëror, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale”, tha Abdixhiku. Ai theksoi se LDK-ja nuk kërkon asnjë ministri, duke shtuar se këto poste mund t’i mbajë Vetëvendosje.

“E heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe, më e rëndësishmja, edhe nga kërkesa për ta udhëhequr postin e presidentit”, deklaroi kreu i LDK-së.

Abdixhiku bëri të qartë se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë, por nuk do ta përdorë këtë qëndrim për të bllokuar institucionet. “Do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, s’do ta shndërrojmë zhgënjimin politik në bllokadë”, u shpreh ai.

Në fund, Abdixhiku tha se LDK-ja është e gatshme të dialogojë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës, me synimin për të kontribuar në tejkalimin e ngërçit politik.