BALLKAN, 14 August 2026, 21:20

Serbia arreston një të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Serbia ka arrestuar një person nga Kosova, i dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës ndaj popullatës civile gjatë vitit 1999. Lajmin e ka bërë të ditur ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, i cili njoftoi se ndaj të arrestuarit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

I arrestuari është identifikuar si 47-vjeçari me inicialet D.M. nga Kosova. Sipas Daçiç, ai është ndaluar në pikën kufitare të Batrovcit.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se ai e ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në dëm të anëtarëve të dy familjeve, gjatë qershorit të vitit 1999, në fshatin Bec, në komunën e Gjakovës”, deklaroi Daçiç.

Ministri serb e identifikoi të dyshuarin vetëm me iniciale, ndërsa një ditë më parë avokati kosovar Arianit Koci kishte njoftuar se autoritetet serbe kishin ndaluar Dugagjin Maxhunin nga Beci i Gjakovës.

Sipas Daçiç, ndaj D.M. fillimisht është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa kallëzimi penal është dërguar më pas në Prokurorinë serbe për Krime Lufte.

“Bazuar në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd – Departamenti për Krime Lufte, atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh”, tha Daçiç.

Arrestimi vjen në një kohë kur autoritetet serbe kanë vijuar ndalimet e shtetasve të Kosovës nën pretendime për kryerjen e krimeve të luftës gjatë viteve 1998-1999.

Ky është arrestimi i dytë gjatë muajit gusht që Serbia e bën në lidhje me pretendime për krime lufte në Kosovë. Më 2 gusht, një tjetër burrë u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë.