TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ngërçi politik në Kosovë vijon të mbajë të bllokuar konstituimin e Kuvendit, ndërsa përplasjet mes opozitës dhe Lëvizjes Vetëvendosje janë zhvendosur edhe brenda sallës së parlamentit. Deputetë të PDK-së dhe AAK-së u paraqitën në Kuvend, pavarësisht se nuk ishte parashikuar zhvillimi i një seance konstituive. Nga aty, ata përsëritën kërkesën për vazhdimin e procedurave dhe formimin e institucioneve të reja.
Situata u tensionua gjatë përplasjeve me deputetët e Vetëvendosjes. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, pati një debat të ashpër me përfaqësues të LVV-së, ndërsa në një moment i hodhi ujë deputetit Ardian Gola. Më herët, tensione u shënuan edhe mes deputetëve të PDK-së dhe Arbërie Nagavcit, ndërsa pati përplasje edhe me deputeten e AAK-së, Albana Bytyqi. Nga ana tjetër, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u kërkoi deputetëve të opozitës të marrin pjesë në takimet e propozuara nga Vetëvendosje për të gjetur një dakordësi politike.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka bërë të qartë se nuk e sheh të dobishme thirrjen e seancave pa një marrëveshje mes partive. Sipas tij, përvoja e legjislaturave të kaluara ka treguar se seancat pa konsensus nuk sjellin zgjidhje. Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar edhe më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Seanca konstituive, e nisur më 6 gusht, është shtyrë dy herë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar kohë për konsultime me partitë e tjera.
Në qendër të diskutimeve është edhe gjetja e një marrëveshjeje për institucionet e reja, përfshirë çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës. Ndërkohë, PDK ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokimin e funksionimit të institucioneve. Deputetja Vlora Çitaku kërkoi që Kuvendi të konstituohet dhe deputetëve t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre. PDK ka deklaruar gjithashtu se do t’i drejtohet Inspektoratit Policor të Kosovës lidhur me pretendimet për cenim të integritetit fizik të disa deputetëve gjatë përplasjeve në Kuvend.
Kriza institucionale vijon të mbetet pa një zgjidhje të dakordësuar, ndërsa palët politike vazhdojnë përplasjet për mënyrën se si duhet të procedohet me konstituimin e Kuvendit.