TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Policia Kufitare e Vlorës ka shtuar kontrollet në det gjatë sezonit turistik, me fokus sigurinë e lundrimit dhe parandalimin e aksidenteve.
Përgjatë një patrullimi në Gjirin e Vlorës dhe në zonën e Shpellës së Haxhi Aliut, efektivët kanë ushtruar kontrolle të imtësishme ndaj mjeteve lundruese, kryesisht gomoneve dhe skafeve.
Gjatë aksionit janë verifikuar dokumentacionet e mjeteve, ndërsa drejtuesit e tyre janë këshilluar të respektojnë rregullat e sigurisë, të pajisin mjetet me jelekë të shpëtimit për të gjithë pasagjerët dhe të mos lejojnë turistët të ulen mbi tubolarët e gomoneve gjatë lundrimit.
Kontrolle janë zhvilluar edhe në Shpellën e Haxhi Aliut, një nga destinacionet më të frekuentuara nga turistët. Policia Kufitare ka kërkuar që asnjë mjet lundrues të mos qëndrojë me motor të ndezur pranë hyrjes së shpellës dhe të mos futet apo të zhytet në brendësi të saj, me qëllim garantimin e sigurisë së vizitorëve dhe mbrojtjen e zonës.
Shefja e Stacionit të Policisë Kufitare për Triportin, Amarilda Shabani ( sinkron) bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë çdo ditë gjatë gjithë sezonit veror, për të garantuar respektimin e rregullave dhe për të parandaluar ngjarjet në det.
Sipas saj, vetëm gjatë muajit korrik janë vendosur 32 masa administrative dhe janë bllokuar 32 mjete lundruese për shkelje të ndryshme të legjislacionit detar. Në dy raste janë vendosur gjoba prej 500 mijë lekësh të rinj (5 milionë lekë të vjetra) secila, për shkelje të rënda.
Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese të respektojnë rregullat e lundrimit dhe të tregojnë përgjegjësi maksimale, duke vendosur në plan të parë sigurinë dhe jetën e turistëve.