AKTUALITET, 4 August 2026, 09:22

DASH njofton ratifikimin e Marrëveshjes SHBA-Shqipëri për kredinë 302 milionë dollarë për mbrojtjen

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se Shqipëria ka ratifikuar dhe nënshkruar një marrëveshje kredie prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), e cila synon të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

Në njoftimin zyrtar, Departamenti Amerikan i Shtetit bën të ditur se kjo kredi do t’i mundësojë Shqipërisë të avancojë procesin e modernizimit të kapaciteteve të saj ushtarake, duke forcuar aftësitë mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s.

Sipas DASH, financimi do ta ndihmojë gjithashtu Shqipërinë të përmbushë angazhimin e miratuar në Samitin e Hagës për rritjen graduale të shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035. Marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm në bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke mbështetur investimet në modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.