BALLKAN, 28 July 2026, 22:47

Kongresisti Wilson i kërkon Serbisë t'i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Rusia, Kina e Irani

21.jpg

Kongresisti amerikan Joe Wilson i ka bërë thirrje Serbisë që të ndërpresë varësinë nga energjia ruse dhe të distancohet nga Rusia, Kina dhe Irani, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të afrohet plotësisht me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Wilson rikonfirmoi mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe akuzoi Serbinë për vazhdimin e presionit dhe kërcënimeve ndaj saj.

“Serbia duhet të jetë pjesë e qytetërimit perëndimor. Është koha të ndërpresë marrëdhëniet me diktaturat në Moskë, Pekin dhe Teheran”, deklaroi kongresisti amerikan.

Wilson kritikoi veçanërisht vazhdimin e blerjes së naftës dhe gazit rus nga Beogradi, duke argumentuar se thjesht negociatat për reduktimin e importeve nuk janë të mjaftueshme.

“Serbia nuk ka nevojë të negociojë. Ajo duhet ta bëjë këtë menjëherë, sepse është gjëja e duhur për lirinë dhe demokracinë”, u shpreh ai.

Kongresisti amerikan është sponsor i një rezolute në Kongres që kërkon zhvendosjen e Sesionit Vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Beogradi në Çarlston të Karolinës së Jugut, në vitin 2027.

Sipas Wilson, Serbia nuk është vendi i përshtatshëm për të organizuar këtë aktivitet për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Duke folur për Kosovën, ai përsëriti mbështetjen për pavarësinë e saj dhe deklaroi se “kërcënimet nga Serbia nuk duhet të kenë vend në shekullin XXI”.

Wilson shtoi se e ardhmja e Serbisë, sipas tij, është në strukturat euroatlantike, por kjo kërkon një shkëputje të qartë nga ndikimet ruse, kineze dhe iraniane.