BALLKAN, 25 July 2026, 11:31

Video/ Lumi Danub tërhiqet në shifra historike, rënia e nivelit të ujit zbulon një anije të mbytur që prej vitit 1937

Niveli i ujit në lumin Danub ka rënë në minimumin historik në Serbi dhe Kroaci, duke zbuluar sipërfaqe të mëdha me rërë, anije të mbytura prej dekadash dhe duke shkaktuar probleme serioze për transportin, furnizimin me karburant, peshkimin dhe turizmin.

Në qytetin verior serb të Novi Sadit, dhjetëra anije në një marinë kanë mbetur të bllokuara në llum, pasi ujërat e Danubit janë tërhequr me qindra metra nga shtrati i zakonshëm.

Valët e të nxehtit dhe thatësira e zgjatur që kanë përfshirë Evropën kanë bërë që niveli i lumit të zbresë në pikën më të ulët historike gjatë kësaj jave në Kroaci dhe Serbi.

Në Kroaci, tërheqja e ujit ka nxjerrë në sipërfaqe një anije mallrash të mbytur që prej vitit 1937. Ndërsa në lindje të Serbisë janë shfaqur mbetjet e ndryshkura të një autokolone anijesh gjermane të fundosura në vitin 1944, të cilat tashmë përbëjnë një rrezik për lundrimin.

Pasojat e rënies së nivelit të Danubit janë të dukshme edhe në Beograd. Një pronar restoranti ka vendosur tavolina dhe karrige mbi një grumbull gurësh të shfaqur në mes të lumit pas tërheqjes së ujit.

Kriza e ujit ka prekur edhe sektorin energjetik. Ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Djedović-Handanović, deklaroi se importet e karburantit gjatë muajit korrik kanë arritur vetëm në 25% të objektivit mujor, pasi cisternat janë detyruar të lundrojnë me vetëm 30–40% të kapacitetit të tyre për shkak të nivelit të ulët të ujit.

Përveç transportit, rënia e nivelit të Danubit, si dhe e lumenjve Tisa dhe Sava, ka ndikuar negativisht edhe në sektorët e peshkimit dhe turizmit.

Ekspertët paralajmërojnë se thatësira e zgjatur mund të sjellë pasoja afatgjata për ekosistemin, biodiversitetin dhe jetën e egër në zonat përreth lumenjve.