BALLKAN, 24 July 2026, 21:43

Kosova përplaset me ndërkombëtarët/ Dështon mbledhja për gjyqtarët serbë, Haxhiu kundërpërgjigjet ndaj aleatëve

12.PNG

Në mungesë kuorumi ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), në të cilën ishte paraparë të shqyrtoheshin dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të dorëzuara që në vitin 2022.

Mbledhja nuk u zhvillua për shkak të mospajtimeve mes anëtarëve lidhur me rendin e ditës. Përveç çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve të komunitetit serb, debatet u fokusuan edhe te formimi i komisioneve të përhershme të Këshillit, çka bëri që tre anëtarë të bojkotonin mbledhjen.

“Do të duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës, meqenëse prej dorëheqjes së tyre janë mbajtur në sistem pa ndonjë bazë kushtetuese e ligjore”, deklaroi anëtari i KGjK-së, Bashkim Hyseni.

Ndërsa anëtari tjetër, Artan Abazi, u shpreh:

“A mundet dikush këtu prej juve që kërkonit me ngulm në mbledhjen e kaluar të funksionalizohet Këshilli, pse sot s’bën të funksionalizohet Këshilli?”

Edhe Ahmet Imami njoftoi bojkotimin e mbledhjes.

“Edhe unë i mbështes veprimet e koleges Arjeta dhe Fidan dhe unë do ta bojkotoj këtë mbledhje”, tha ai.

Pas konstatimit të mungesës së kuorumit, kryesuesi i KGjK-së, Rrustem Thaqi, mbylli mbledhjen.

“A janë të tjerët të pranishëm? A kemi kuorum? Okej, përfundoi takimi”, deklaroi ai.

Gjyqtarët serbë dorëzuan dorëheqjet e tyre në vitin 2022, në kuadër të largimit kolektiv të pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës.

Çështja e shqyrtimit të këtyre dorëheqjeve u rikthye në vëmendje pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i kërkoi KGjK-së të marrë një vendim. Një kërkesë të ngjashme ajo ia kishte drejtuar edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili pak ditë më parë refuzoi të pranonte tërheqjen e dorëheqjeve të shtatë prokurorëve serbë. Pas këtij vendimi, Haxhiu i liroi ata nga detyra.

Të premten, Haxhiu deklaroi se disa prej këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve, që nga viti 2017, ndërsa ushtronin detyrën në institucionet e Kosovës, paguheshin edhe nga Serbia.

Ajo përsëriti thirrjen që KGjK-ja të shqyrtojë dorëheqjet dhe iu përgjigj ashpër partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kritikuan vendimin e saj për lirimin nga detyra të prokurorëve serbë.

“Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë që sot bëjnë presion mbi këta këshilla, kush nga ta do të lejonte që në shtetet e tyre të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër?”, u shpreh Haxhiu.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e konsideroi të pamundur rikthimin në detyrë të zyrtarëve serbë që dhanë dorëheqje në vitin 2022, duke theksuar se një veprim i tillë do të binte ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Kishim të drejtë politike t’iu themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’iu themi kthehuni. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës e ligjit”, deklaroi Kurti.

Dorëheqjet e zyrtarëve serbë të institucioneve të Kosovës, të dorëzuara në vitin 2022, deri më tani janë pranuar vetëm nga Policia e Kosovës.