AKTUALITET, 15 October 2026, 17:10

Koçiu: Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe kaosit, prindërit të kujdesen për sigurinë e tyre

Koçiu: Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u ka bërë thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e fëmijëve të tyre, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së të miturve larg zonave ku zhvillohen protesta të shoqëruara me tensione dhe përplasje.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu deklaroi se fëmijët nuk duhet të përfshihen në situata dhune, por të qëndrojnë në shkollë dhe në mjedise të sigurta.

Ajo kritikoi përfshirjen e të miturve në protesta ku regjistrohen akte dhune, duke u bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të distancohen nga dhuna dhe të ulin tensionet.

“Një revoltë që i përdor fëmijët si mburojë dhe u mëson gjuhën e dhunës, nuk i shërben së ardhmes së tyre. Mbrojtja dhe siguria e fëmijëve janë një përgjegjësi absolute dhe e panegociueshme e të gjithëve! Distancohuni nga dhuna, ulni tensionet dhe largoni menjëherë të miturit nga zonat e përplasjes”, u shpreh Koçiu.

Zëvendëskryeministrja iu drejtua gjithashtu prindërve, duke u kërkuar të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve të tyre dhe të sigurohen që ata të mos ndodhen pranë zonave ku mund të ketë përplasje.

“Të dashur prindër, sot nuk bëhet fjalë thjesht për bojkotimin e mësimit apo mungesat në shkollë, por për sigurinë e drejtpërdrejtë të fëmijëve tuaj. Tregoni kujdes të jashtëzakonshëm në këto momente, interesohuni se ku ndodhen fëmijët tuaj dhe sigurohuni që të jenë larg çdo zone tensioni e përplasjeje”, theksoi ajo.

Në përfundim, Koçiu apeloi për kujdes, maturi dhe përgjegjësi nga të gjithë, duke nënvizuar se jeta dhe siguria e fëmijëve duhet të mbeten prioritet.

“Kërkohet kujdes, maturi dhe përgjegjësi nga të gjithë. Asnjë kauzë, sado e madhe dhe e drejtë të duket, nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një fëmije”, theksoi Koçiu.