AKTUALITET, 18 July 2026, 14:39

Kapen mbi 55 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar, pranga 68-vjeçarit 

Kapen mbi 55 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar, pranga

Një operacion i organizuar dhe i koordinuar nga oficerët e Departamentit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Follorinë ka çuar në arrestimin e një shtetasi shqiptar, 68 vjeç, i dyshuar për trafikimin e një sasie të madhe lënde narkotike.

Sipas autoriteteve greke, pas shfrytëzimit të informacionit operacional dhe në kuadër të masave për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës, policia lokalizoi mëngjesin e djeshëm automjetin që drejtohej nga 68-vjeçari në një zonë të Follorinës.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dy çanta udhëtimi dhe një thes, brenda të cilëve ndodheshin 50 pako me marijuanë, me një peshë totale bruto prej 55 kilogramë e 422 gramë. Gjithashtu, policia sekuestroi edhe tre telefona celularë, të cilët do t'i shërbejnë hetimeve.

Kohët e fundit është konstatuar një riaktivizim i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Gjatë 11 muajve të fundit, policia greke ka sekuestruar mbi 1.2 ton marijuanë në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.

Rastet më të shumta lidhen me linjën e trafikut Sarandë–Igumenicë, nga e cila dyshohet se është transportuar pothuajse gjysma e sasisë së drogës së sekuestruar në këto zona. Në një prej rasteve më të bujshme, autoritetet greke kanë bllokuar në Igumenicë edhe një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike.