TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale dhe ka ftuar mbështetësit demokratë që të marrin pjesë në protestën e cila po vijon të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.
Berisha u shpreh se “gjatë kësaj jave vazhdoi me heroizëm epik protesta rinore qytetare në bulevardin e Tiranës, pavarësisht nga terrori qeveritar i Ramës ndaj eksponentëve të kësaj proteste dhe pjesëmarrësve të saj”.
Ai tha se “kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë vazhdoi e pamposhtur duke siguruar mbështetje të madhe ndërkombëtare”.
Duke shprehur mbështetjen më për këtë protestë, Berisha fton “çdo demokrate e demokrat të marrin pjesë në frymën e saj si qytetarë, të bëjnë gjithçka për suksesin e saj”.
Kreu i PD-së foli edhe për zgjedhjen e drejtuesve të forumeve të kësaj force politike duke u shprehur se “ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD dhe jo vetëm të ripërtëritjes në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti”.
“Në Këshillin Kombëtar të PD, 60 % e përbëjnë të rinjtë dhe gratë dhe ky është një proporcionim shumë i rëndësishëm për ne sepse patëm trashëguar një deformim nga i cili u ndamë përfundimisht. Dy të tretat e kryesisë së zgjedhur të PD, zgjidhen për herë të parë. Nga 14 sekretarë, vetëm 3 janë të rizgjedhur”, tha ai.
Berisha shtoi se “ne jemi një parti që bazohemi tek vota e anëtarëve tanë dhe shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë bashkëpunëtorët e mi që nuk u zgjodhën, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Theksoj se shumë prej tyre kanë funksione të tjera shumë të rëndësishme në PD, grupin e saj parlamentar dhe misione në drejtim të reformave themelore në interes të kësaj partie dhe të vendit”.
Berisha foli edhe për Raportin e Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri gjatë vitit 2026 duke thënë se “damkosi Ramën dhe regjimin e tij në mënyrën më të fuqishme”.