TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për veprën penale “Rrezikim i sigurisë së aviacionit civil”, pas një incidenti të dyshuar ku një person ka drejtuar një rreze lazeri të gjelbër në drejtim të një avioni civil në fshatin Janjevë, në komunën e Lipjanit.
Janjeva ndodhet jo shumë larg Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë dhe zona përfshihet në korridoret e fluturimit të avionëve që ulen ose ngrihen nga aeroporti. Për këtë arsye, çdo ndërhyrje me rreze lazerike ndaj mjeteve fluturuese konsiderohet një rrezik serioz për sigurinë e aviacionit civil.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është iniciuar më 16 korrik 2026, në koordinim me prokurorin kompetent, pasi autoritetet kishin marrë informacione se incidenti kishte ndodhur më 13 korrik, rreth orës 21:50.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa policia nuk ka dhënë ende detaje të tjera zyrtare mbi ngjarjen.
Sipas burimeve, piloti i mjetit fluturues është përballur me një dritë lazeri të gjelbër, e cila dyshohet se është drejtuar qëllimisht në drejtim të avionit gjatë fluturimit.
Burimet bëjnë të ditur se rrezja e lazerit dyshohet të jetë përdorur nga një person ende i paidentifikuar.
“Piloti i aviacionit ka raportuar një incident me një dritë lazeri ndaj mjetit fluturues. Mjeti ishte në lëvizje kur një individ përdori një lazer të gjelbër në drejtim të tij”, ka deklaruar burimi.
Përdorimi i lazerëve ndaj avionëve mund të verbojë përkohësisht ose të shpërqendrojë pilotët, veçanërisht gjatë fazave kritike të ngritjes dhe uljes, ndaj në shumë vende të botës konsiderohet shkelje e rëndë penale.
Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për identifikimin e personit të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.